Zero tolerancë ka paralajmëruar drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, ndaj atyre që nuk deklarojnë tatimin.
Ilir Murtezaj thotë se emërimin në këtë pozitë e ka marrë me shumë përgjegjësi, raporton KTV.
Murtezaj nuk ndien presion ndaj deklarimeve të ministrit të Financave, Bedri Hamza, që, nëse nuk ka luftim të evazionit fiskal, ai do të shkarkohet brenda gjashtë muajve.
Thotë se nuk do ta presin gjashtëmujorin, por brenda tre muajve do të nisin, sipas tij, reformat në këtë drejtim.
Murtezaj ka thënë se, pas implementimit të Ligjit për Faljen e Borxheve, ku përmes këtij ligji tatimpaguesve u është dhënë mundësia ta shfrytëzojnë të drejtën për faljen e borxheve, tani më nuk ka bazë për asnjë justifikim për mospagesë të tyre ndaj ATK-së.
Sipas Murtezajt, mbi 500 milionë euro të hyra janë planifikuar që të inkasohen gjatë këtij viti.