Kim Victory ishte e paralizuar në shtrat dhe po digjej për së gjalli.
Mu në kohën e duhur, dikur e shpëtoi, ama papritmas ajo u shndërrua në një skulpturë të akullt në bufenë e një anijeje luksoze. Pastaj, iu nënshtrua një eksperimenti laboratorik në Japoni. Mandej u sulmua nga macet.
Vegimet e ankthit sikurse këto, ishin dukuri të rëndomta për Victoryn gjatë hospitalizimit të saj këtë pranverë shkaku i prekjes nga sëmundja e shkaktuar prej koronavirusit. Ato ia përkeqësuan aq shumë gjendjen saqë një natë e tërhoqi tubin e ventilatorit të frymëmarrjes; herës tjetër, ra nga karrigia dhe u shtri përtokë në repartin e përkujdesjes intensive.
“Ishin aq reale, aq të frikshme”, thotë 31-vjeçarja Victori, tani e rikthyer në shtëpinë e saj në Franklin të Tennesses në SHBA, transmeton KOHA.
Deri në një shkallë alarmuese, shumë pacientë me koronavirus kanë raportuar përvoja të ngjashme. I quajtur si deliriumi spitalor, ky fenomen më herët ka qenë i pranishëm kryesisht te pacientët e moshuar, disa prej të cilëve veç kanë qenë të prekur nga demencia, ndërsa viteve të fundit spitalet kanë zbatuar masa për ta ulur shkallën e të prekurve.
“Të gjitha këto përpjekje janë shlyer nga COVID-19”, ka thënë Wesley Ely, zëvendësdrejtor i Qendrës për Sëmundje Klinike, Problemet Mendore dhe Mbijetesën pranë Universitetit Venderbilt.
Ndërlidhja e deliriumit me pandeminë
Tani, kjo gjendje është shpeshtuar te pacientët me koronavirus të të gjitha moshave që më herët nuk kanë pasur telashe të tilla. Raportet nga spitalet dhe hulumtuesit sugjerojnë se rreth dy të tretat e tri të katërtave të pacientëve me koronavirus të shtrirë në repartet e përkujdesjes intensive kanë pasur përjetime të këtilla në mënyra të ndryshme.
Disa kanë shfaqur “delirium hiperaktiv”, shoqëruar me halucinacione dhe ankthe; disa kanë pasur “delirium hipoaktiv”, vegime dhe konfuzione të herëpashershme që i nxisin pacientët të tërhiqen në vete dhe të mos komunikojnë me të tjerët; e disa i kanë pasur që të dyja.
Përvojat nuk janë vetëm tmerruese dhe çorientuese. Deliriumi mund të ketë pasoja të rënda për një kohë të gjatë, duke e ngadalësuar procesin e shërimit dhe e rritur rrezikun nga depresioni dhe stresi post-traumatik.