Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Florian Dushi, i cili deri të enjten ka qenë drejtor i Inspektoratit në kryeqytet, është emëruar nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
“Kontributi i tij i jashtëzakonshëm ka qenë i padiskutueshëm dhe jam i bindur se do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në pozitën e re, ku përfshihen edhe sektorët kyç si Inspektorati, Shërbimet Publike, Zyra Ligjore dhe Administrata”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka thënë se Dushi do ta fillojë punën menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor qendror.
“Ky vendim është pjesë e strategjisë tonë për të forcuar ekipet tona dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për kryeqytetin”, ka shkruar Rama.
Sipas informacioneve të KOHËS Dushi është emëruar në vend të nënkryetarit Alban Zogaj, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit ka garuar në listën e LDK-së dhe ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.