“Trendit” të ikjes së mjekëve nga Institutcionet Shëndetësore Publike i janë bashkangjitur edhe dy anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Anesteziologët, Burhan Hadri dhe Dafina Matoshi e kanë lëshuar punën në Klinikën e Anesteziologjisë.
Lajmin për ikjen e anesteziologëve e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija.
Ai thotë se largimi i anesteziologës së tretë ende nuk është zyrtar.
“Më 26 shtator largohen, por për momentin janë në pushim vjetor. Anesteziologia tjetër ende nuk e ka nënshkruar vendimin zyrtar për dorëheqje, doktoresha Myzejene Kryeziu”, konfirmon drejtori për Gazetën Shneta.
Në tre vitet e fundit punën në QKUK e kanë lëshuar 16 anesteziologë. Aktualisht QKUK ka 48 anesteziologë, të cilët janë të pamjaftueshëm.
Gjatë këtij viti mbi pesë anesteziologë e kanë lëshuar punën në QKUK, me arsyetimin se kushtet në klinika janë të rënda, pagë e ulët e ngarkesë e lartë në punë.