Të paktën 10 persona kanë humbur jetën pas një zjarri që përfshiu dy anije mallrash me flamuj të Tanzanisë, teksa lundronin në ujërat e detit të Zi në ngushticën Kerch pranë Krimesë.
Autoritetet thonë se ekipe ruse shpëtimi po përpiqen t’u japin ndihmë marinarëve që kërcyen menjëherë mbi kuvertë, ndërsa 14 persona besohet të jenë shpëtuar deri tani.
Njëra prej anijeve ishte furnizuese me gaz, ndërsa zjarri raportohet të ketë pasuar një shpërthim të fuqishëm, aq sa flakët mbërritën deri tek anija tjetër.
Anijet mbanin emërtesën “Kandy”, me një ekuipazh prej 17 personash nga Turqia e India, si dhe “Maestro” me 14 marinarë.
Zjarri shpërtheu në momentin kur njëra prej anijeve po transferonte karburant te tjetra, sipas asaj që ka deklaruar zëdhënësi i Agjencisë ruse të Marinës, Alexei Kravchenko, duke shtuar se pikërisht në këtë moment disa pjesëtarë ekuipazhi u detyruan të ngjiteshin mbi kuvertë.
Anijet po lundronin në “ujëra neutrale” në detin e Zi, kur ndodhi incidenti, sipas konfirmimit të autoriteteve. Ngushtica e Kerchit është vënë në fokusin e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës. Në nëntor, rojet kufitare të Rusisë sekuestruan 3 anije ukrainase pranë ngushticës në fjalë, që lidh detin e Zi me detin Azov.