Disa muaj pasi lëndët e krimeve të luftës i janë transferuar Prokurorisë nga misioni i EULEX-it, Specialja ka intensifikuar punën në këtë drejtim.
Guximi për t’u rikthyer në vendin ku dyshohet se kishin kryer krime gjatë luftës, solli deri tek arrestimi i dy të dyshuarve nga departamenti i krimeve të luftës.
Brenda tri ditëve, me ndihmën e qytetarëve, Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë një egjiptian dhe një serb të dyshuar se kanë kryer krime lufte, njëri në rajonin e Klinës dhe tjetri në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt, raporton KTV.
Por, për Prokurorinë Speciale mbesin të paarritshëm personat e tjerë të dyshuar si bashkëkryerës të këtyre veprave.
Për serbin me inicialet Z.K, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë në vrasjet në familjen Nuha të Ferizajt, Prokuroria ka intervistuar deri më tani tre dëshmitarë.
Deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria konsideron se ka siguruar prova të mjaftueshme.
Sylë Hoxha nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se janë duke grumbulluar prova edhe për raste të tjera të krimeve të luftës në Kosovë.
Ai ka theksuar se brenda këtij viti pritet të ketë më shumë rezultate në zbulimin e rasteve të krimeve të luftës.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 60 serbë janë dënuar për krimet e luftës në Kosovë.
Po sipas kësaj organizate, gjatë luftës janë vrarë më shumë se 13 mijë persona, ndërsa të pagjetur janë edhe 1 mijë e 640.