Fjalë Kyçe

Dy të arrestuar në Pejë, tërhoqën nga banka pensionet e disa personave

Dy të arrestuar në Pejë, tërhoqën nga banka pensionet e disa personave

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Pejë ka arrestuar një burrë dhe një grua, p[asi dyshohet se kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr paratë e pensioneve nga banka.
Sipas njoftimit të policisë kjo ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot me 17.01.2025, ka zbatuar urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Renda, me ç’rast sipas urdhëresës janë kontrolluar tri (3) lokacione të ndryshme me dyshime për veprat penale ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’, ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’, të parapara sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Në njoftim nuk tregohet se çfarë pozitash zyrtare kanë personat e arrestuar.

Policia ka njoftuar se për këtë rast hetimet i ka nisur nga muaji korrik i vitit të kaluar me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me ç’rast thuhet se janë aplikuar masat e veçanta të hetimit si dhe ka bërë grumbullimin e informatave të nevojshme, duke bashkëpunuar edhe me institucione tjera sipas kompetencës, përmes të cilave është arritur të sigurohen dëshmi të arsyeshme për veprat panele të cekura më lart.

“Dy persona të dyshuar në këtë rast, një femër dhe një mashkull kosovarë, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale. Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj. Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi si në vijim:6 kartela bankare në emër të personave të tjerë, 1 telefon dhe dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se janë gjetur dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin, thuhet se është iniciuar rast i veçantë.

“Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë”, thuhet në njoftim.