Dy persona janë arrestuar për përfshirje në një konflikt në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, fillimisht është raportuar për incident në rrugë. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka identifikuar fillimisht personin me inicialet F.Xh. 51-vjeçar, që është shoqëruar në stacionin policor. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se posedonte një armë zjarri, që është sekuestruar nga policia. F.Xh. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet kanë vazhduar për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, që dyshohet se duke përdorur shkopinj druri dëmtuan veturën e të dyshuarit të arrestuar dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Pas hetimeve, të mërkurën është arrestuar i dyshuari tjetër Sh.L 29-vjeçar, që është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe është ndaluar për 48 orë. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një armë zjarri (pistoletë).
“Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, ka njoftuar Policia.