Dy pjesëtarë britanikë të forcave speciale janë plagosur rëndë gjatë një sulmi të ISIS-it në Siri. Besohet që forcat speciale britanike janë duke operuar në zonën e luftës në Siri, por Ministria e Mbrojtjes nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Raportimet në rrjetet sociale tregojnë se sulmi ndaj forcave britanike është bërë me një raketë në qytetin Deir al-Zour. Besohet se të plagosurit janë evakuuar nga forcat amerikane. Në këto luftime thuhet se është vrarë një luftëtar kurd.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ka thënë se ministria nuk jep komente për forcat speciale. Britania e Madhe është pjesë e koalicionit që udhëhiqet nga SHBA-ja dhe ka kryer sulme të kohëpaskohshme ajrore në kuadër të përpjekjeve për ta larguar ISIS-in nga Siria.
Në prill të vitit të kaluar, Britania e Madhe u përfshi në sulmet ajrore kundër regjimit të Asadit si kundërpërgjigje për përdorimin e armëve kimike. Kryeministrja britanike kishte thënë në atë kohë se sulmet ajrore janë ligjërisht dhe moralisht të pranueshme për vendin e saj në mënyrë që të parandalohen vuajtjet e njerëzve, shkruan “BBC”,