Ministria e Shëndetësisë në Maqedonisë së Veriut ka njoftuar edhe për dy viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Në Klinikën Infektive kanë vdekur, një person i moshës 78-vjeçare nga Shkupi dhe një 77-vjeçar nga Tetova. Sipas Ministrisë, dy viktimat vuanin edhe nga sëmundje kronike.
Me këto dy raste, numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 106.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë sërish thirrje për respektimin e masave pasi sipas tij “të gjithë do të jetojmë me virusin deri në gjetjen e vaksinës kundër tij”.
Ai ka paralajmëruar se rrezik për përhapjen e virusit mbeten tubimet e më shumë personave në vende të hapura dhe të mbyllura andaj edhe ka bërë thirrje për mbajtjen e maskave në vendet ku nuk ka hapësirë për distancë fizike.
Ndërkohë, sa i përket të infektuarve janë regjistruar 22 raste të reja nga 533 teste të kryera. Sipas qyteteve, tetë raste janë regjistruar në Shkup, dy në Shtip, dy në Prilep, tri në Tetovë dhe nga një në Strugë, Veles, Sveti Nikollë dhe Gostivar.
Për dallim nga ditët e kaluara, të martën ka rritje të numrit të të shëruarve. Gjithsej 50 persona janë shëruar plotësisht dhe prej tyre numri më i madh është në Shkup (16), Tetovë (15) dhe Kumanovë (10).
Nga 1,839 persona të diagnostikuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus 1,351 janë shëruar kurse aktualisht aktive janë edhe 382 raste.