Policia e Kosovës, saktësisht Njësiti i Krimeve Ekonomike të martën me urdhër të Prokurorisë Speciale ka kryer bastisje në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për Telegrafin se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.
Një aksion i tillë i Policisë u tha se u zhvillua pas hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, thuhet se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Por, çka u sekuestrua gjatë bastisjes?
Policia njoftoi se janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
Një revole e tipit MAUSER-WERKR me 2 karikator me nga 7 fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë 9 mm.
34 fletë dokumente të ndryshme.
3 telefona, 1 IPhone 15 ProMax, 1 IPhone 12 ProMax, 1 IPhone 11 ProMax
17 USB.
3 laptop HP.
4 shtëpiza kompjuteri si dhe
Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.