Fjalë Kyçe

E-banking rrit çmimet për ata që shkojnë në sportele të bankave

E-banking rrit çmimet për ata që shkojnë në sportele të bankave

Besnik Abdullahu, punëtor në një ndërmarrje publike në Kosovë, thotë se tarifat për shërbime të ndryshme në bankat komerciale janë jashtëzakonisht të shtrenjta, krahasuar me pagat ekzistuese.

Ai tregon se përveç mirëmbajtjes së llogarisë së tij, për të tërhequr para apo për të marrë pagën në sportele brenda bankës, duhet të paguajë tarifë 2.50 euro si dhe 1 euro paguan edhe kur bën pagesat e faturave të shërbimeve komunale.

“Tarifat janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Për të paguar një ndëshkim për komunikacion në vlerë prej 20 euro, banka, në emër të provizionit, të merr 3 euro. Kurse, për një faturë për kurs të gjuhëve të huaja, paguaj 2.50 euro. Këto tarifa duhet të lirohen sepse pagat në Kosovë janë të ulëta”, tha Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Mbi 65 milionë euro profit nga tarifat dhe komisionet

Bankat komerciale në Kosovë vetëm nga tarifat, komisionet dhe të ardhurat e tjera operative, gjatë vitit të kaluar kanë regjistruar profit në vlerën 65.5 milionë euro, pa llogaritur të hyrat nga interesi për kredi.

Tarifat për shërbime janë larta dhe ato duhet të rishikohen nga zyrtarë të bankave, thotë edhe profesori i ekonomisë në Kolegjin UBT, njëherësh ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi. Ai vlerëson se tarifat duhet të jenë objektive, të arsyeshme dhe në funksion të zhvillimit të sistemit bankar.

“Normal që pjesë e rëndësishme e tarifave është konkurrenca bankare. Secila bankë, përmes konkurrencës mundohet të jetë më e mira në treg, duke i rishikuar tarifat”, thotë Rexhepi.

Të gjitha institucionet financiare në Kosovë e kanë obligim ligjor që në ueb-faqet e tyre zyrtare të publikojnë listën e çmimeve të tarifave. Në disa nga bankat komerciale shihet se qytetarët duhet të paguajnë deri në 2.50 euro për tërheqje të mjeteve dhe deponim, ndërkaq për transferet me urgjencë, tarifa paraqitet 5 euro. Këto tarifa, në disa raste janë më të larta për bizneset.

Tahiraj: Klientët të përdorin shërbimet elektronike pa pagesë

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale, ku shumica prej tyre janë të huaja.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në disa nga këto institucione. Një nga to është Raiffeisen Bank Kosova. Ilirjana Tahiraj, zëdhënëse në këtë institucion financiar, thotë se arsye e mbajtjes së këtyre tarifave është me qëllim të vetëdijesimit të klientëve për përdorimin e shërbimeve elektronike dhe që t’i zvogëlojnë radhët e gjata në sportelet e bankave.

“Kjo gjë edhe ka ndodhur sepse tani, sidomos pas shpalljes së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, shumica e klientëve i shfrytëzojnë shërbimet digjitale bankare”, tha Tahiraj për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), lidhur me vlerën e tarifave, por nga kjo bankë nuk kanë kthyer përgjigje.

Pjesa më e madhe e bankave të mëdha ofrojnë shërbime bankare në rrugë elektronike, të njohur ndryshe si e-banking dhe disa nga shërbimet realizohen pa pagesë.

Vetëm brenda një muaji, sipas të dhënave të BQK-së, qytetarët e Kosovës kanë marrë kredi në vlerë prej rreth 100 milionë eurosh nga bankat komerciale, derisa kanë depozituar para në vlerë mbi

Por, Besnik Abdullahu thotë se në raste të rralla shfrytëzon shërbimet elektronike. Ai tregon se në fillim të muajit, e tërheq nga banka komplet pagën dhe më pas detyrohet që faturat e ndryshme t’i paguajë në sportele.

“Nuk e përdori gjithmonë e-banking, vetëm faturat e energjisë së shpenzuar i paguaj në formën online, pagesat tjera i bëj në sportele të bankës. Ka raste kur shkoj ta tërheq pagën në bankomat dhe ai nuk punon, kështu që duhet që pagën ta tërheq nga sportele, me një tarifë prej 2.50 euro”, tha ai.

Rritja e çmimeve goditi të moshuarit
Hashim Rexhepi nuk e konsideron argument të fuqishëm, që për shkak të shfrytëzimit të shërbimeve digjitale nga ana e qytetarëve, tarifat të ngriten në mënyrë të paarsyeshme.

Shërbimet në distancë, të ofruara përmes kanaleve elektronike, në fazën aktuale sipas tij nuk mund që komplet të zëvendësojë shërbimet tradicionale, sidomos për pjesën e popullatës së mesme dhe të moshuarit. Ai thotë se me këtë çështje duhet të merret Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

“Banka Qendrore e Kosovës ekziston për ruajtjen e stabilitetit financiar, për ruajtjen e interesit të klientëve apo qytetarëve të Kosovës ndaj sistemit bankar. Dhe në këtë drejtim, BQK-ja duhet të ketë komunikim të rregullt, të vijueshëm dhe të argumentojë tarifat ekzistuese se a janë të qëndrueshme apo jo. Në emër të mbrojtjes së interesit të qytetarëve, në rast nevoje, BQK-ja duhet të tërheqë vëmendjen se tarifat janë të larta dhe dëmtojnë interesin e qytetarëve”, thekson Rexhepi.

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it se a kanë të drejtë të ndërhyjnë në rregullimin e çmimit të tarifave të shërbimeve në bankat komerciale në Kosovë.