Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar Projektligjin për Pagat.
Mirëpo, pas përfundimit të afatit ligjor ky projektligj ka hyrë në fuqi në mënyrë të heshtur.
Në një përgjigje nga Zyra e Presidencës thuhet se në të ardhmen e afërt do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe do t’i bëjnë plotësimet e nevojshme.
“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga Presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e Presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës, shkruan KP.
Afati i fundit për dekretimin e Projektligjit për Paga nga ana e Presidentit ka qenë dje në orën 24:00.
Ligji i Pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt.