Fjalë Kyçe

E tmerrshme: Hoxha i Sibovcit akuzohet se ka dhunuar një të mitur 16 vjeçare

E tmerrshme: Hoxha i Sibovcit akuzohet se ka dhunuar një të mitur 16 vjeçare

Akuza e një familje nga Sibovci i Podujevës ndaj imamit të këtij fshati për dhunimin e vajzës së tyre, ka bërë që ndaj këtij të fundit të nisin hetime, e madje të zhvillohet edhe një proces gjyqësor.

Ndaj hoxhës Beqir Nuredinit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Dhunim’.

Ai akuzohet se e ka keqpërdorur seksualisht një 16 vjeçare e cila kishte vendosur t’i përkushtohej fesë islame dhe po i ndiqte ligjëratat në xhaminë ku ligjëronte hoxha. E për këtë vepër penale Hoxha i Sibovcit mund të dënohet deri në 15 vite burgim.

Gjithçka dyshohet se ka ndodhur para 2 viteve. Një vajzë nga fshati Sibovc i komunës së Podujevës derisa kishte qenë në moshën 16-vjeçare kishte vendosur t’i përkushtohej fesë islame. Për disa javë kishte ndjekur ligjëratat në xhaminë e fshatit ku jeton. Familja e viktimës V.I. (emri i saj është i njohur për redaksinë), në një rrëfim të dhënë kishin deklaruar se hoxha i Sibovcit ua kishte ngacmuar seksualisht vajzën e tyre.

Sipas, familjes, e gjithë ngjarja kishte ndodhur para dy viteve. Por ‘sekretin’, vajza e kishte mbajtur deri në korrikun e vitit të kaluar.

Rastin familja e kishte paraqitur në policinë e Podujevës, këta të fundit në bashkëpunim me Prokurorinë kishin nisur hetime. E në muajin shkurt të këtij viti Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë ndaj hoxhës së Sibovcit për veprën penale ‘Dhunim’.

Ngritjen e aktakuzës ndaj hoxhës e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ulaj ka thënë se aktakuza është ngritur për veprën penale të dhunimit.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se, më 25.02.2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet B.N., në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, nga neni 230 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë sqaruar nga Prokuroria.

Ky institucion i hetuesisë po ashtu ka bërë të ditur se rasti tashmë është në Gjykatë.

“Rasti është proceduar në Gjykatë”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

E ndërkohë për këtë rast, në Gjykatën Themelore të Prishtinës gjatë muajit të kaluar është mbajtur edhe një proces gjyqësor.

Por si nisi e gjithë kjo histori?

Në korrikun e vitit të kaluar (2017) ka qëndruar në familjen e viktimës. Këta të fundit kanë shpjeguar rreth ngjarjes. Nëna e V.I. kishte thënë se vajza e saj kishte rënë në një gjendje të rëndë emocionale. Deklaronte se hoxha i fshatit ia dhunoi vajzën.

“Na e kemi çu çiken në xhami për me msu, për me u fal. Unë e kam veç qet çikë. Çika tash i bën 19-vite. Vajza ka shku e ka ardhë në xhami. Asnjëherë se kemi ndalë. Po që vjen puna deri këtu se kemi besu. Ajo as 16-vjet si ka pasur kur ka ndodhë kjo ngjarje. Hoxha vajzës sonë ia ka prishë çikninë. Ajo është tutë me i kallxu vëllaut dhe babës. Kur ka shku në xhami çika ky ia ka pre rrugën e ka marrë në kerr. Çika i ka kallxu vëllaut duke qajtë. Cika para dy vjetve vike në shpi, kajke cdo herë, më thojke prej mësimeve”, tregonte nëna e viktimës.

Në familjen e V.I. thonë se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e këtij rasti.

E ndërkohë rreth këtyre akuzave drejtuar ndaj tij, ishte deklaruar edhe hoxha i Sibovcit, Beqir Nuredini i cili kishte pasur më shumë se 25 vite që ligjëronte si imam në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës. Ai kishte mohuar akuzat e familjes së vajzës. Ka thënë se e ka njohur vajzën, por që asnjëherë me të nuk ka pasur diçka të tillë.

Ndryshe, dhunimi dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Në bazë të Nenit 230 të Kodit Penal, nëse kryesi i kësaj vepre është udhëheqës fetar, dënohet me burgim prej pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.