Sot gjatë ditës në orën 13:15 në qendër të Prizrenit ka pasur tentativë për dhunim seksual ndaj një të miture të moshës 11 vjeçare nga komuniteti RAE.
Viktima e rastit, e cila është vajzë që kërkon lëmoshë, është joshur nga i dyshuari me një pije. Por fatmirësisht, e mitura ka shpëtuar për shkak se disa dëshmitarë e kanë parë ngjarjen.
Rastin për Gazetën e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Rasti ka ndodhur në ora 13:30 nën Urën e Gurit. Një i rritur e ka joshur me një pije një të mitur që kërkon lëmoshë, por rasti ka mbetur në tentativë” tha Osmanollaj.
Ai tutje shtoi se personi i dyshuar për këtë rast mendohet se nuk është nga rajoni i Prizrenit, dhe se policia është ende duke kryer hetimet e nevojshme.
E për këtë ka reaguar edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Ilir Gashi, i cili ka qëlluar që të jetë edhe dëshmitarë.
Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se vajza kishte shpëtuar falë një reagimi të një familje nga Prishtina që jeton në perëndim, e falë një nëne të guximshme.
“Sot në mesditë, në zemër të Prizrenit – nën Urën e Gurit, një person ka tentuar ta dhunoj apo ta shfrytëzoj seksualisht një të mitur 11 vjeçar të komunitetit RAE. Rasti ishte zbuluar falë reagimi të një familjeje nga Prishtina që jeton në perëndim, falë një nëne të guximshme, fatmirësisht” shkroi ai.
Tutje ai tregon detaje se i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa të njëjtën gjë ka tentuar që ta bëjë edhe viktima e mitur por ishte ndaluar nga dëshmitarët deri sa erdhi policia.
“I dyshuari i ka ikur nga duart e shokut tim i cili më priste te Ura. Pasi që edhe viktima i mitur synonte të ikte nga vendi i ngjarjes, së bashku me shokun tim siguruam që viktima të mos largohet deri sa erdhi patrulla policore” shkroi Gashi në Facebook.
Ai tutje shtoi se policisë ia kanë dhënë përshkrimin e personit të dyshuar.