Ekonomia në vitet e pavarësisë, nuk ka treguar ndonjë zhvillim që mund të ndikonte në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Me gjithë disa përparime, kryesisht në aspektin ligjor, sipas tyre, gati 11 vjet pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës, vlerësohet se shteti më i ri në Evropë, nuk ka arritur të zbatim të mirëfilltë të ligjeve, nuk ka arritur të përmirësojë kushtet për sektorin privat dhe për investitorë të huaj, rrjedhimisht ende përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, pasi rritja ekonomike për gjatë këtyre viteve nuk ka siguruar një zhvillim të përgjithshëm ekonomik.
Nga viti 2008 , kur Kosova shpalli pavarësinë, rritja ekonomike nuk ka mundur të arrijë as në nivelin 5 për qind. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin e pavarësisë niveli i rritjes ekonomike ka qenë 4.5 për qind, kurse ndër vite, kryesisht ka shënuar rënie, ndërkaq vitin e kaluar rritja ekonomike në Kosovë ka arritur në 4.2 për qind.
Me fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe, ekspertët dhe ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përmendin trendin e rënies se investimeve të huaja.
Investimet e huaja, që para zgjidhjes se statusit përfundimtar të Kosovës, zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë për çështje ekonomike, vlerësonin se vlera e investimeve do të rritet për shkak se Kosova konsiderohet se ka resurse të mjaftueshme për investitorët e huaj, pas shpalljes së pavarësisë ndodhi e kundërta.
Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, në vitin 2008, 355 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja, ka arritur në 164 milionë euro.
Bajram Hasani, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se situata politike po ndikon në rënien e investimeve të huaja.
“Fatkeqësisht deri sa të bisedohet për korrigjim të kufijve, për cenimin e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, unë mendoj se ky është një dëm i madh, apo një ndalesë e fuqishme, moslejimi i investimeve të huaja”, tha ish-ministri Hasani.
Megjithatë, eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi duke e vlerësuar si shqetësues trendin e rënies se investimeve të jashtme, ai thotë se pritet që këto investime të rikthen më aktivizimin e kapaciteteve të reja energjetike të Kosovës, siç është ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.
Në anën tjetër, Gashi e konsideron si hendikep të madh, sidomos viteve të fundit, bilancin tregtar negativ me vendet e rajonit dhe të botës.
“Importi që vitin e kaluar ka arritur në 3 miliardë euro kurse eksportet nga Kosova mbulohen vetëm 10 për qind në këtë import”, thekson Gashi.
Për dallim nga rritja ekonomike dhe investimet e huaja, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është rritur shuma e dërgesave të emigrantëve.
Në vitin 2008 vlera e remitencave ishin 409 milionë euro, përderisa në vitet tjera, vlera e parave të dërguara nga diaspora, brenda një viti arrin shumën rreth 600 milionë euro.
Edhe pse shfrytëzimi i tyre është orientuar më tepër në patundshmëri dhe konsum, sipas ekspertëve, kjo ndikon në rritjen e përmirësimit të mirëqenies sociale.
Element tjetër negativ, sipas Gashit, gjatë kësaj periudhe është emigracioni i fuqisë së kualifikuar punëtore.
“Një element tjetër negativ që unë e shoh gjatë këtyre viteve të pavarësisë, sidomos gjatë viteve të fundit, është ikja e fuqisë punëtorëve të kualifikuar në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër. Dhe rreziku kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës, vjen kryesisht nga emigracioni i fuqisë së kualifikuar punëtore dhe ikjes së trurit, kuadrove të profesionalizuar të profileve të larta”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Në vitet 2014-2015, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kishin braktisur Republikën e Kosovës për shkak të, siç thuhej, “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian”.
Të gjitha ngecjet ekonomike në vitet e pavarësisë, Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i arsyeton me gjendjen ekonomike të trashëguar të pasluftës, me tregje të humbura rajonale, evropiane dhe botërore dhe fabrika të shkatërruara. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Shatri thotë se ka pasur përparime në fushën e ekonomisë, por që nevojitet ende përkushtim institucional.
“Në aspektin ekonomik është filluar me transformimin e pronës dhe me tranzicionin në përgjithësi. Kemi filluar me privatizim dhe ndërtimin e institucioneve të ekonomisë së tregut të lirë sepse Kosova nuk e ka pasur këtë. Është themeluar Banka Qendrore e Kosovës, janë ndërtuar institucionet tjera bankare private, dhe këto kanë bërë të mundur një funksionim normal të ekonomisë që e kemi trashëguar. Janë ndërtuar politika ekonomike dhe fiskale që janë të favorshme për bizneset, sektori privat është duke u konsoliduar si duhet”, shprehet Shatri.
Megjithatë, Shatri përmend se në vitet e shtetësisë, Kosova ende vuan nga shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë, edhe pse ndër vite ka pasur rënie.
Në vitin 2008 papunësia ishte mbi 43 për qind, ndërkaq 45 për qind e popullsisë jetonin në varfëri relative.
Kurse në vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, shkalla e papunësisë ishte 30 për qind, derisa rreth 17.6 për qind të popullatës jeton në varfëri të plotë.
Paga mesatare për punonjësit në institucionet publike në Kosovë ka arritur në rreth 500 euro, kurse pagan në sektorin privat, 384 euro në muaj.
Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro në vit, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.
Po sipas të dhënave të zyrtare të ASK-së, Bruto Produkti Vendor për vitin 2017 ishte mbi 6.4 miliardë euro, kurse Bruto Produkti Vendor për kokë banori ka qenë 3,566 euro, vlera këto më të ulëta, krahasuar më vendet e rajonit.
Pavarësisht faktit se Kosova llogaritet e fundit sa i përket standardit jetësor, krahasuar me vendet e rajonit, të dhënat e Agjencisë të cilat përfshijnë periudhën 2008- 2017 tregojnë se gjatë kësaj periudhe, vazhdimisht ka pasur rritje të BPV-së, pasi në vitin 2008 kjo normë ka qenë 2.200 euro për kokë banori.
Pavarësisht, këtyre shifrave, edhe në Kosovë figurojnë milionerë me pasuritë e tyre, ku përveç biznesmenëve, milionerë janë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale.
Por, Kosova vazhdon të kritikohet nga institucionet ndërkombëtare për nivel të lartë të korrupsionit.
Sidoqoftë, gjatë periudhës se shtetësisë, Kosova është anëtarësuar në disa institucione ndërkombëtare financiare, si në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim, kurse nga viti 2016 ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA)