Fjalë Kyçe

Edhe AKR kërkon anëtar në KQZ

Edhe AKR kërkon anëtar në KQZ

Aleanca Kosova e Re përmes një deklarate për media ka thënë se emërimi i anëtarëve të KQZ-së është i rëndësishëm dhe se vonesat e deritanishme kanë qenë të pa arsyeshme.

“Aleanca Kosova e Re vlerëson se emërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjëve (KQZ) është një çështje e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Vonesat e deritanishme për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës kanë qenë të pa arsyeshme, në kundërshtim me funksionin kushtetues të tij, sepse i njëjti garanton funksionimin demokratik dhe kushtetues të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e tyre.

AKR ka thënë se ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK-në, dhe si e tillë ka të drejtë të propozojë anëtarin e saj në KQZ.

“AKR, i rikujton presidentit që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK dhe si e tillë edhe është paraqitur në seancën konstituive. Kjo nënkupton që edhe AKR, si pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor ka të drejtë të propozojë anëtarin e saj në KQZ, në emër të koalicionit parazgjedhor me LDK-në, gjë të cilën edhe e ka bërë, me shkresën dërguar Presidentit, me datë 27.12.2018, ku e propozuar për anëtare të KQZ-së nga AKR, si pjesë e koalicionit parazgjedhor është Znj. Myzejene Selmani”, thuhet tutje në këtë deklarate.

Sipas tyre, AKR ka të drejtë kushtetuese të ketë anëtarin e saj në KQZ.

“Bazuar në logjikën e interpretimit të grupeve parlamentare, sipas seancës konstituive, Presidenti i Republikës së Kosovës duhet që të marrë për bazë propozimin e secilës parti, për emërim të anëtarëve të KQZ-së, që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor, sikur është rasti i AKR-së dhe LDK-së. Grupet parlamentare nuk duhet të shihen sipas fuqisë aktuale në parlament por sipas Kushtetutës dhe Ligjit. Bazuar në faktet e përmendura më sipër, AKR ka të drejtë kushtetuese të ketë anëtarin e saj në KQZ, sepse ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK-në dhe në këtë mënyrë edhe është certifikuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2017”, kanë deklaruar nga AKR.

Tutje, në këtë deklaratë thuhet se secila praktikë tjetër që do të krijohet nga presidenti në emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke mos marrë parasysh kërkesat e subjekteve politike, sikur rasti i AKR-së, është një praktikë kundër kushtetuese dhe që bie në kundërshtim me vetë funksionin e Presidentit si dhe rolin e tij unifikues dhe garantues të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.