Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2019.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 1.2% në muajin gusht 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 279.9 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 276.5 milionë euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.2%.
Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport dhe një rritje prej 1.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.1% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet bimore; 7.9% të eksporteve e përbëjnë prodhimet minerale; 5.8% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.5% të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9% të importeve e përbëjnë prodhimet minerale; 14.1% të importeve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3% të importeve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.2% të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% të importeve e përbëjnë mjetet e transportit; 6.4% të importeve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.2% të importeve e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 9.1 milionë Euro, ose rreth 28.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -13.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 7.7%, Britani e Madhe 3.6%, Holanda 3.4%, etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160.0 milionë Euro, ose 51.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 12.0%, Greqia 7.0%, Italia 6.6%, Bullgaria 4.1%, Polonia 3.6%, Sllovenia 3.6%, etj.
Në muajin gusht 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.8 milionë euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -10.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 18.5%, Maqedonia 9.9%, Serbia 8.5%, dhe Mali i Zi 4.5%.
Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2019, arritën në 47.2 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej -47.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria 7.1%, Maqedonia 7.1%, dhe Serbia 0.1%.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 28.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India 15.4% dhe Zvicra 8.2%.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 104.5 milionë Euro, ose 33.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 10.5% dhe Kina 10.4%.