Fjalë Kyçe

Edhe pas kërkesës së Trump-it për njohjen e Kosovës, Daçiq vazhdon propagandën e tij

Pavarësisht se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i kishte kërkuar Serbisë që sa më parë ta njohë Kosovën, ministri i serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq vazhdon propagandën e tij.

Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i kishte një letër homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, duke e uruar për Ditën e Republikës së Serbisë.

Në të, përveç urimeve, Trump ka kërkuar nga Vuçiq që sa më parë të arrihet një marrëveshje me Kosovën që sipas tij duhet të jetë me njohje të ndërsjella.

Mirëpo, pavarësisht kësaj kërkese të presidentit Trump, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, edhe sot në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka vazhduar propagandën e tij.

Siç shkruan “rts.sr”, transmeton lajmi.net, Daçiq, sot ka thënë se, nuk e din se përse po feston Kosova, pasi që sipas tij, në tërë këto 11 vite Kosova nuk ka arritur dhe nuk ka bërë asgjë.

Sipas tij, në tërë këto vite Kosova akoma nuk ka mundur që të anëtarësohet në OKB, INTERPOL, UNESCO, e në organizata të tjera.

Më tutje gjatë ditës së sotme Daçiq po ashtu citohet të ketë thënë se Kosova në tërë këto vite ka pësuar humbje pasi që siç u shpreh ai, pa një marrëveshje me Serbinë nuk ka zgjidhje për këtë çështje dhe se sipas tij, e tërë kjo është meritë e madhe e politikës serbe.

Siç shkruan mediumi serb, Daçiq e ka vlerësuar si arritje të madhe edhe lobimin e tyre për të tërhequr njohjen e Pavarësisë disa shtete të ndryshme.

Siç thotë Daçiq, këto shtete mund të mos kenë ndikim të madh, por që sipas tij, Serbia nuk do të ndalet në lobimin për tërheqjen e njohjeve.

“Një meritë e madhe i përket vendeve që kanë tërhequr njohjen, sepse është shumë më e vështirë të bisedohet me vendet që kanë marrë tashmë vendim për njohjen. Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe ne do të vazhdojmë me politikën e tërheqjes së njohjes”, ka thënë Daçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, se Serbia në vazhdimësi ka marrë kritika nga ndërkombëtarët për ta ndalur politikën e tyre për tërheqjen e njohjeve dhe në këtë mënyrë Daçiq thotë se shteti i tij po e ka paksa të vështirë që të zhvillojë edhe më shumë politikën e tij në këtë drejtim.

Daçiq gjatë ditës së sotme po ashtu u pyet edhe për letrën e presidentit Trump, ku ndër të tjera kërkohet edhe njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

Ai ka thënë se administrata e presidentit Trump e mbështet një kompromis në mes të Kosovës e Serbisë dhe se sipas tij, Amerika edhe në të kaluarën ka kërkuar nga Serbia që ta njohë pavarësinë e saj.

“Qëndrimi i administratës amerikane mbi çështjen e Kosovës tani ka ndryshuar. Edhe administratat e kaluara i kanë kërkuar Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Trump është në përkrahje të një kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha kreu i diplomacisë serbe.

Këto komente Daçiq i bëri gjatë ditës së sotme në ekspozitën “Serbia është mbajtur nga diplomacia”, e organizuar nga SPS, ku në këtë ekspozitë ishte edhe një fotografi e vendeve që Serbia pretendon se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.