Fjalë Kyçe

Edhe sa do të shtyhen këstet e kredive, BQK jep sqarimin e fundit

Edhe sa do të shtyhen këstet e kredive, BQK jep sqarimin e fundit

Situata e krijuar me pandeminë COVID-19 bëri që edhe në Kosovë të shtyheshin pagesat e kësteve të kredive bankare.

Kjo masë u mor për tre muaj dhe jo për të gjitha kreditë me automatizëm, por për individët apo bizneset që kishin vështirësi për t’i paguar.

Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka bërë të ditur se kjo masë emergjente përfundon kur të fillojnë punën të gjitha veprimtaritë ekonomike.

“Në momentin kur lirohen masat kufizueses dhe fillojnë punën të gjitha veprimtaritë ekonomike konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Tutje, BQK-ja ka bërë të ditur se deri më 30 prill, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje e kësteve është 1.6 miliard euro nga afro 67 mijë kërkesa.

“Deri më 30 prill 2020, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje të kësteve të tyre është 1.6 miliardë euro, apo 51.7 për qind e gjithsej portofolit kreditor. Janë gjithsej 66,818 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 14.4 për qind e gjithsej numrit të kredive”.

E pas aplikimeve pwr shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive bankare, BQK ka bërë të ditur se janë aprovuar 99 % e kërkesave për biznese e 86 % për persona fizik.

Ndryshe, BQK më herët ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe kur u aplikua masa emergjente nuk do të aplikohet asnjë interes ndëshkues ndaj bizneseve e personave që aplikojnë për kredi, nuk do të aplikohet ndryshim i klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe nuk do të kërkohen provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra.

Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe, shkruan FaktePlus.

Ndryshe në Kosovë, bizneset dhe qytetarët janë ndihmuar nga qeveria me pakon emergjente ku kjo pako ka përmbajtur mbi 170 milion euro ndihmë financiare.

Së fundmi nga ministria e Financave në Qeverinë Kurti u prezantua edhe Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, vlera e së cilës pritet të jetë 1.26 miliardë euro.