Fjalë Kyçe

Ekspozitë në Ditën e Pavarësisë

Ekspozitë në Ditën e Pavarësisë

Me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot në Galerinë e Arteve në Gjilan hapet ekspozita me fotografi, e dy autorëve gjilanas Agim Kajtazi dhe Milaim Grabovci.

Agim Kajtazi, në një prononcim për Portalin 2LONLINE.com, ka thënë se ekspozita “E bukura Kosovë”, mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e qytetit tonë dhe se ajo përbëhet nga fotografi peizazhi të shkrepura nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

“Me mikun tim, Milaim Grabovci, prej vitesh jemi bashkë në ecjet e të dielave që organizon Shoqëria Bjeshkatare ‘Maja’ dhe shoqëri të tjera bjeshkatare. Pas secilit aktivitet, në funksion të promovimit të kësaj që bëjmë, në vazhdimësi, nëpër rrjete sociale, natyrisht në numër më të vogël, kemi publikuar imazhe që rrëzojnë sterotipet sikur e tërë Kosova është ashtu si e shohim nga asfalti. E që fatbardhësisht nuk është kështu. Sot ne po bëjmë diçka më ndryshe se zakonisht. Prandaj, ata që vendosin ta vizitojnë ekspozitën tonë, mund të them që në një hapësirë dhe kohë, lehtësisht të kontrollueshme, do të mund të shohin vendin tonë me ngjyra pranvere, vere, vjeshte e dimri në katërdhjetë fotografitë tona”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, Kosova ka vende të mrekullueshme, të cilat përveç se meritojnë të njihen, ato duhet ruajtur në mënyrë që, si të tilla, institucionet tona, në interes edhe të zhvillimit të turizmit, të mund t’i kthej në të qasshme edhe për të huajt.

Ekspozita “E bukura Kosovë”, hapet sot në orën 17:00 në Galerinë e Arteve, në Gjilan, dhe do të qëndroj e hapur deri më 28 shkurt. /2LONLINE/