Të premten, Mbretëria e Bashkuar ka emëruar Karen Pierce të dërguar speciale për Ballkanin Perëndimor.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, përmes një postimi në profilin e saj në “X”, ka shkruar se mirëpret emërimin e Karen Pierce si të dërguar speciale të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor.
“Është thelbësore që të punojmë për të mbështetur këtë rajon të rëndësishëm, për të cilin kemi shumë angazhime historike dhe aktuale”, shkroi ajo, transmeton Telegrafi.
Ajo po ashtu ka shkruar se Bashkimi Evropian ka bërë disa gabime të mëdha me qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, prandaj edhe duhet veprimi i Mbretërisë së Bashkuar.
Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar ka emëruar Karen Pierce të dërguar speciale për Ballkanin Perëndimor.
Në njoftim thuhet se si një nga diplomatet më me përvojë të Mbretërisë së Bashkuar, Karen Pierce është emëruar për të çuar përpara objektivat strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në të gjithë rajonin.
“Me përvojën dhe ekspertizën e saj, Karen Pierce është personi ideal për të çuar përpara këtë çështje të rëndësishme. Do të doja të falënderoja Lord Peach për përkushtimin dhe shërbimin e tij personal në avancimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor gjatë 3 viteve të fundit”, ka thënë Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy.
Në njoftimin për media po ashtu bëhet e ditur se Mbretëria e Bashkuar do të organizojë një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor në vjeshtën e vitit 2025.