Fjalë Kyçe

Emrat e ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore, rrezik për konflikt interesi

Emrat e ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore, rrezik për konflikt interesi

Rishikimet e teksteve shkollore të matematikës dhe gjuhës shqipe janë bërë nga ekspertë të cilët kanë qenë recensentë në të kaluarën, pavarësisht që thirrja e Ministrisë nuk ka lejuar diçka të tillë.

Ishte maji i vitit 2023 kur Ministria e Arsimit hapi një thirrje për ekspertë që do të rishikonin tekstet shkollore të Gjuhës shqipe dhe Matematikës.

Ata ekspertë përpara se të vlerësonin cilësinë e teksteve, duhet të përmbushnin një sërë kriteresh, e ndër to assesi të mos ishin aktualisht e as dikur, autorë apo recensentë të teksteve shkollore.

Kriteri i fundit është shkelur me të dyja këmbët kur së paku tre prej ekspertëve të përzgjedhur, kishin qenë recensentë paraprakisht në Abetare e Matematikë.

Projekti në kuadër të BE- KOSED prej ku ka dalë rishikimi, në përbërjen e saj ka pasur Shemzi Hazirin recensent në Abetare, Ismet Poterën recensent në Matematikën dhe për Gjuhën shqipe Fadil Latifin.

Të tre janë autorizuar pavarësisht kritereve të parapara në thirrjen e vitit 2023 e cila ndalon rreptësisht përfshirjen si konflikt interesi, me ç’rast edhe e kanë përfunduar rishikimin e tyre nëpër tekstet në fjalë.

Ndërkohë, ky grup ekspertësh tashmë kanë hartuar një raport prej 600 faqesh e të cilin tashmë në dorë e ka edhe Kryeministri.

Sipas tyre në librin e matematikës për klasat e dyta, një njësi mësimore e renditur në faqen 76 është e rëndë për këtë grupmoshë, sepse paraqet sistem të ekuacioneve lineare me dy të panjohura.

Por, krejt të pakuptimtë këtë konstatim e vlerëson autori i këtij teksti shkollor, Ramadan Zejnullahu.

“Vlerësimin e konsideroj jo të bazuar dhe jokompetent. Sikur përçon te publiku një kërkesë absurde se ‘Librat e matematikës duhet të lirohen nga matematika’. Për më tepër, secili nga ata qe marrin guximin për të hartuar një libër duhet të shëtisin nëpër një literature të një gjeografie jo të kufizuar. Autori këtë e ka bërë që në fillim dhe përmbajtjet janë ndikuar nga literature që përdoret në disa vende me të cilat do të dëshironim të krahasonim shkollën tone. Gjithnjë duke ndjekur një linjë thjeshtësimi për aq sa lejohet, por kurrsesi ta lirojmë matematikë nga matematika”, ka thënë Ramadan Zejnullahu – autor i tekstit Matematika II.

Vlerësuesit, të papërshtatshme për nxënës të klasës së dytë e kanë cilësuar një detyrë, që sipas profesorit Ramadan Zejnullahu, është krejt logjike.

Sipas tij, në detyrën ku janë vendosur dy ikona të hënës dhe vlera është baras me 100, mund të thjeshtësohet shumë lehtë.

Ai ka sqaruar se dy numra të njëjtë të cilët japin një vlerë 100, simbolizohen me dy figura të njëjta, që në këtë rast është hëna.

Për këtë arsye konstatimet e dhëna në këtë raport i quan krejt absurde.

“Kjo është e pavërtetë. Kështu mund të konstatojnë vetëm ata që nuk e kanë lexuar librin ose nuk kanë kompetencë profesionale. E thash edhe me sipër se përkundrazi, gjatë hartimit të teksteve është ndjekur një linjë thjeshtësimi në raport me literaturën e përdorur. Ky konstatim është absurd dhe shpërfaqë mungesë kompetence nga ana e vlerësuesit. Detyra në të cilën është ngatërruar vlerësuesi është e tipit të atyre detyrave që zhvillohen në shkollën fillore (janë marr nga Die Mathe-Forscher, Jugen &Volk, Wien 2013) përmes të ashtuquajturës metode heuristik, e cila ndihmon zhvillimin logjik te nxënësit. Pretendimet se kjo detyrë është e nivelit të klasës se 9-të janë absurde dhe vijnë si pasojë e mungesës profesionale për të vlerësuar dhe nxjerr përfundime. Duke vepruar kështu, vlerësuesi ndoshta pa dashje përcjell një mesazh destruktiv te nxënësit dhe publiku. Këtu duhet te bëjmë kujdes”, ka thënë ai.

Përveç teksteve të matematikës, ky projekt ka paraparë edhe rishikimin e teksteve të gjuhës shqipe për klasat nga e para tek e nënta.