Sot doli nga shtypi libri më i ri i autorit Bajram Kosumi, ‘Enciklopedia imagjinare’, botim i dy shtëpive botuese Artini-Toena. Ky libër promovohet më 16 shtator, prej orës 13, në stendën e Toenës, në Panairin e Librit në Tiranë.
Autori i ‘Enciklopedia imagjinare/Postroman’ ka njoftuar se filloi të shkruajë shkronjat e para të këtij libri në qelitë e Burgut të Nishit gjatë viteve 1985-1986 dhe e përfundoi në vitin 2022, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, transmeton lajmi.net.
Botuesit, Artini dhe Toena, në vlerësimin e dhënë për librin konstatojnë se “Enciklopedia imagjinare/Postroman” është eksperimenti më i madh me letërsinë.
Sipas botuesve, qysh në titull shfaqet elementi shkencor (enciklopedia) dhe arë letrar (imagjinatën).
“Mbiemërimi postroman është vula e këtij eksperimenti dhe e vendos Enciklopedinë imagjinare në hierarkinë e teksteve letrare”, shkruajnë më tej dy botuesit, njëri i Prishtinës e tjetri i Tiranës.
Të gjitha ngjarjet zhvillohen në një Ishull të izoluar, i cili është i vendosur në një shkëmb të lartë, me shtëpi të vendosur në maje, i rrethuar me ujë. Ky vendbanim është i ilustruar edhe në ballinën e librit, ku është vizatuar vendbanimi i ishullorëve.
“Po kush janë ishullorët? Mund të jenë shqiptarët e një rkahine të bogël e të izoluar që quhet Galab, me kryeqytetin Gumur. Mund të jenë gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tjerë pellazgjikë: grekët, malazezët, maqedonët, dalmatët dhe boshnjakët…”, shkruan autori në parathënie të librit.
Tematikat e motivet, personazhet e ngjarjet nisen nga një sfond historik dhe përfundojnë në një realitet imagjinar për situatat e skajshme si burgu, lufta, diktatura, vdekja, dashuria, konfliktet nacionale, politike, fetare, katastrofat etj.
Personazhet e librit janë të shumë strukturave sociale dhe të kohëve të ndryshme, që nga antikiteti e deri te vitet e sotme.
Libri “Enciklopedia imagjinare/Postroman” fillon me një parathënie të autorit ku shpjegon idenë filozofike të librit dhe vazhdon me tregimet për njerëzit, mendimet, veprimet, proceset dhe shfaqjet psikologjike, sociale e historike në jetën e ishullarëve. Libri ka gjithsejtë 772 faqe.