Fjalë Kyçe

Ëndrra e madhe e klubit të vogël

Ëndrra e madhe e klubit të vogël

Adem Stullca dhe Nehbi Gashi kanë kaluar të 50-at. Stullca është 60-vjeçar, kurse Gashi disa vjet më i madh.

Të dy banorët e Dobrajës së Madhe të Lipjanit janë më të vjetër se klubi i fshatit – Arbëria, që për herë të parë në historinë 43-vjeçare ka arritur të ngjitet në elitën e futbollit kosovar.

“Është më shumë se një ëndërr e realizuar”, thotë Stullca.

Stullca bashkë me Gashin ka pak ndeshje që kanë lënë pa e përcjellë si jashtë ashtu edhe brenda.

“Edhe pse jam invalid, nuk jam ndalë, kam shkuar dhe bashkë me Nehbiun i kemi përcjellë thuajse të gjitha ndeshjet e Arbërisë. Jemi adhurues të zjarrtë të klubit. E kam përcjellë edhe sa ka qenë klubi me emrin Përparimi”, ka treguar Stullca për “Kohën Ditore”.

Stullca pranon se klubi është i vogël, por dashuria për të është e madhe.

“Rruga për t’u inkuadruar në Superligë nuk ka qenë e lehtë. E kemi dhënë i gjithë fshati kontributin, me mundësi disa nga 10 euro e disa nga 5 euro. Kemi mbledhur fonde për ta mbajtur klubin. Por me organizim të mirë kemi arritur Superligën”, ka thënë Stullca.

Arbëria e ka siguruar Superligën si e dyta e Ligës së Parë, që nuk e gjeti fundin shkaku i ndërprerjes së pandemisë së koronavirusit. Në vend të parë pas 20 xhirove ishte Besa.

“Po thonë me fat e kemi arritur Superligën, por unë nuk e ndaj të njëjtin mendim. Mendoj se e kemi merituar sepse kemi bërë një organizim të mirë. Kemi pasur kapacitet të luftojmë deri në fund”, thotë Stullca.

Arbëria ndeshjet si vendëse i ka zhvilluar në stadiumin e qytetit në Lipjan, kurse pritet që në të njëjtin stadium t’i zhvillojë edhe ndeshjet e Superligës.

Në fakt, Arbëria është vlerësuar ndër klubet më të organizuara këtë edicion në Ligën e Parë.

“Historia e suksesit” që u pasua me dorëheqjen e kryesisë

Organizim të mirë premtojnë se do të kenë edhe në Superligë. Madje, thonë se nga 1000 shikues do ta përcjellin gati në çdo ndeshje.

“Mendoj se kanë kapacitet, por klubit i duhet ndihmë më e madhe në Superligë. Ne e duam futbollin si fshat. Madje, edhe e kemi fituar gjithnjë Lipjanin e po ashtu edhe me futbollistë e kemi mbajtur”, thotë me mburrje Stullca.

Për inkuadrimin në Superligë, Arbëria organizoi edhe një aheng. Në këtë ahengun modest ishin të ftuar të gjithë. Ahengu që u mbajt më 6 qershor në fushën e klubit të fshatit Dobrajë e Madhe u emërtua – “Historia e suksesit të KF Arbëria”.

“Kam marrë ftesë speciale unë, sepse edhe pse unë ngre zërin dhe flas shumë, më duan shumë”, ka thënë Stullca.

Pjesë e suksesit historik të klubit është edhe trajneri Nuhi Bahtiri, që ka luajtur edhe në vitet e para të themelimit të klubit. Por ai nuk ka mundur ta arrijë si lojtar inkuadrimin në Superligë, derisa e ka bërë si trajner. Por ai nuk ka dashur të flasë. Thotë se do të flasë një ditë, por jo tash.

Edhe nga anëtarët e klubit gazeta nuk ka mundur të marrë ndonjë mendim, meqë kanë refuzuar pa treguar arsyet.

Por të dielën është njoftuar se kryesia e KF Arbëria së bashku me donatorët ka marrë vendim që të japin dorëheqje të parevokueshme nga postet e tyre. Në njoftimin e Arbërisë thuhet se presidenti Jahir Krasniqi, kryetari Hysni Bytyqi, drejtori Jakup Bahtiri, nënkryetari Labinot Gashi, sekretari Alban Bublica dhe anëtarët e kryesisë Faton Krasniqi, Besnik Mukulani dhe Ramadan Nuredini kanë dhënë dorëheqje.