Autoritetet franceze kanë njoftuar se do të angazhojnë forca shtesë të sigurisë, përfshirë trupat ushtarake, për ta parandaluar përsëritjen e dhunës në protestat e “jelekverdhëve”, të cilat do të mbahen në Paris dhe në qytete tjera gjatë kësaj fundjave.
Policë, xhandarë dhe ushtarë do të marrin pjesë në një ceremoni të shfaqjes së forcës në kryeqytet dhe në qytetin jugor të Nices, ku presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping, gjatë një vizite shtetërore të tij në Francë të dielën.
Pavarësisht ndalesës për protesta në disa pjesë të qytetit Nice, organizatorët e “jelekverëdhëve” kanë për thirrje për të protestuar në këtë vend të shtunën, ndërsa protesta pritet të mbahen edhe në qytete tjera të Francës. Kjo është java e nëntëmbëdhjetë e protestave të këtij grupi.
Analistët po e vlerësojnë marshimin e trupave si provokim nga qeveria. Sidoqoftë, administrata e Macronit e sheh daljen e mundshme nga kontrolli të kryengritjeve civile si sfidë serioze për autoritetin e vet dhe është është e vendosur ta ketë situatën nën kontroll pas akuzave se ka qenë e papërgatitur për protestat e javës së kaluar.
Protestat e javës së kaluar sollën dhunë dhe incidente. Protestuesit e dhunshëm shkatërruan dyqane luksoze, shitore të gazetave dhe njërin nga restorantet më të veçanta në “Champ Elysee”. Komandanti i policisë së Parisit u shkarkua pasi policët e tij u akuzuan për dështim në parandalimin e dhunës, shkruan “The Guardian”.