Fjalë Kyçe

Evakuimi i personelit diplomatik nga Ukraina, reagon SHBA-ja

Evakuimi i personelit diplomatik nga Ukraina, reagon SHBA-ja

Një zgjidhje diplomatike është ende e mundur, por rreziku i një pushtimi të afërt rus të Ukrainës është i lartë.

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, ka thënë se rreziku i veprimit ushtarak rus në Ukrainë është mjaft i lartë, kështu duke justifikuar largimin e pjesës më të madhe të personelit në ambasadën amerikane në Kiev, por sipas tij një zgjidhje diplomatike e krizës është ende e mundur.

“Rruga diplomatike mbetet e hapur. Mënyra se si Moska tregon se dëshiron të ndjekë atë rrugë është e thjeshtë. Duhet të de-përshkallëzohet në vend që të përshkallëzohet”, është shprehur Blinken të dielën, raporton Al-Jazeera.

Të shtunën, një bisedë telefonike një-orëshe midis Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, përfundoi pa ndonjë përparim.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Moska përballet me “kosto të shpejta dhe të rënda”, nëse e shtyn përpara me agresionin, ndërsa Kremlini ka denoncuar “histerinë kulmore” të SHBA-së mbi konfliktin në Ukrainë dhe ka mohuar se ka plane për të pushtuar.

Ndërkohë, qeveria australiane ka pezulluar përkohësisht operacionet në ambasadën e saj në Kiev, kjo pasi frika për një pushtim rus rritet.