Evropa është kthyer në shqetësimin më të madh të botës, pavarësisht tensioneve tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës që po kërcënojnë ekonomitë. Prodhimi industrial në 19 vendet e Eurozonës po bie me normën më të shpejtë që prej krizës financiare dhe përkeqësimi i kërkesës po vjen nga faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Kjo ka shtuar rreziqet që ekonomia të rritet me rreth 1% këtë vit, një ngadalësim i mprehtë nga 2018-a, ndërkohë që edhe superfuqia e kontinentit, Gjermania, ndodhet në trazira.
Indeksi i Bloomberg për Evropën ndodhet në nivelin më të ulët që prej mesit të 2017-ës ndërsa tregjet e kapitalit në kontinent nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të lira në krahasim me obligacionet, bazuar te gap-i i yield-it.
Problemi këtë herë është se ngadalësimi po godet bazën e rajonit. Ndërkohë që vende si Greqia ndodheshin në epiqendër të problemeve, këtë herë perspektiva e Gjermanisë është dobësuar, prej rënies së vazhdueshme në manifakturë.
Shpenzimet konsumatore kanë ngecur gjithashtu në Francë, pjesërisht prej protestave. Këto dy vende përbëjnë 50% të ekonomisë së Eurozonës. Analistët thonë se nëse Franca ndalon konsumin dhe Gjermania ndalon prodhimin, problemi do të bëhej serioz në Eurozonë.
Megjithatë, problemet nuk ndalojnë këtu, pasi interesat e borxhit në Itali kanë nisur të rriten ndjeshëm, prej menaxhimit të dobët fiskal dhe Brexit mbetet ende i pazgjidhur.
Një tjetër çështje të madhe përbëjnë zgjedhjet evropiane në muajin Maj, ku mund të shihet një ngritje e partive anti-Bashkimit Evropian.
Të dhënat këtë javë treguan se prodhimi industrial ra me 0.9% në dhjetor nga nëntori, sa dyfishi i projeksioneve. Rënia vjetore arriti nivelin më të ulët që prej vitit 2009 për Eurozonën.(SCAN)