Fjalë Kyçe

Familja palestineze nuk pranon të largohet nga shtëpia e rrënuar

Familja palestineze nuk pranon të largohet nga shtëpia e rrënuar

Një familje në Gaza është mbledhur përreth zjarrit të ndezur në rrënojat e shtëpisë së tyre. Përreth tyre është edhe ndërtesa disakatëshe, në të cilën strehoheshin tetë familje.

Këto ndërtesa janë bërë rrafsh gjatë konfliktit 11 ditësh mes militantëve të Hamasit dhe ushtrisë izraelite. Kryefamiljari thotë se nuk ia mban zemra që ta braktisë shtëpinë.

“Nuk kemi shtëpi përveç këtyre rrënojave. Qëndrojmë pranë rrënojave dhe vajtojmë. As për një ditë të vetme nuk mund ta dorëzojmë edhe pluhurin e kësaj toke. Jemi ulur këtu për të pritur mëshirën e Zotit dhe do të kemi durim”.

Dy ditë më herët, larg prej shtëpive të rrënuara nga konflikti në të cilin humbën jetën 250 njerëz, shumica palestinezë, grupi militant Hamas ka treguar forcën në një paradë ushtarake.

Qindra militantë të maskuar kanë prezantuar armatimin nëpër rrugët e Rripit të Gazës.

Gjatë konfliktit, Hamasi sulmoi Izraelin me më shumë se 4 mijë raketa, shumica u rrëzuan nga sistemi mbrojtës izraelit “Iron Dome”.