Fjalë Kyçe

Familjet shqiptare e kanë të pamundur blerjen e një shtëpie

Familjet shqiptare e kanë të pamundur blerjen e një shtëpie

Familjet shqiptare po e kanë çdo ditë edhe më tepër të vështirë blerjen e një apartamenti.
Me rritjen e çmimeve prej luftës në Ukrainë si edhe sidomos prej kërkesës në rritje prej sasisë së madhe të parave që po pastrohen në vend gjatë viteve të fundit, çmimet për një metër katror apartament në Tiranë kanë shkuar në nivele të paperceptueshme.

Referuar radhitjes së ka bërë Numbeo, një ndër platformat më të mëdha botërore për përpunimin e të dhënave, Shqipëria renditet në 30 vendet e fundit sa i përket mundësisë së blerjes së një apartamenti sipas të ardhurave mujore që kanë familjet.

Vendi renditet në pozicionin e 30 me një indeks 15.80, ndërkohë që shumë më mirë se ne pozicionohen të gjitha vendet e rajonit si Kosova, Serbia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja me një indeks shumë më të ulët se ne.

Situata duket se është përkeqësuar edhe më tepër gjatë gjysmës së parë të këtij viti pasi më herët, vendi renditej në poziconin e 39 duke lënë pas Serbinë.

Çfarë mat indeksi “Raporti mes çmimit dhe të ardhurave”?

Raporti i çmimit ndaj të ardhurave është indeksi bazë për përballueshmërinë e blerjes së apartamenteve (më e ulët është më mirë). Përgjithësisht llogaritet si raporti i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme familjare.