Fjalë Kyçe

Fejzullahu: Manipulimet me vota mund të provohen lehtë në aspektin penal

Fejzullahu: Manipulimet me vota mund të provohen lehtë në aspektin penal

Hasani, ka thënë se dyshimet për manipulim me vota brenda listave të kandidatëve për deputetë nga partitë shqiptare të cilat janë ankuar edhe në PZAP, mbulohen nga Kodi Penal. Me hetimin e tyre, ai thotë se merren organet përkatëse të cilat janë të obliguara të hapin hetim.

“Në aspektin penal, Kodi Penal i ka mbuluar të gjitha situatat nëse abuzohet procesi zgjedhor. Çdo situatë që mund të manipulohet, në aspektin penal janë të mbuluara. Me faktin se publikisht është thënë disa herë se kanë argumentime se janë manipuluar në QNR, janë devijuar votat, prokuroria ka detyrim ligjor të vë në lëvizje mekanizmat që të hetoj nëse mund të hapen hetime për këto pretendime. Nëse provohet se është manipuluar qëllimisht me vota për ta mbështetur apo dëmtuar një kandidat, jam i bindur se do procedohen penalisht dhe është e lehtë për t’u provuar në aspektin penal. Nuk besoj që shpëton kush pa u ndëshkuar në këto raste”, tha ai.

Fejzullahu sqaron se personi i cili vërtetohet se ka manipuluar me vota dhe ka ndërhyrë në procesin zgjedhor, dënohet me 5 vjet burg dhe i shtohet dënimi plotësues, sipas të cilit kandidatit për deputet i ndalohet kandidimi për katër vjet.

“Mund të dënohet deri në 5 vjet, plus ligji e përcakton detyrimisht gjykatën të shqiptoj dënimin plotësues e ndalimit të kandidimit deri në 4 vjet për deputet ai që ka abuzuar me procesin zgjedhor. Ai që shpallet fajtor nëse ka abuzuar, i shqiptohet edhe dënimi plotësues krahas atij me burg”, tha Hasani.

Hasani shprehet se “abuzimet drastike dhe primitive që kanë ndodhur deri në vitin 2013” me procesin zgjedhor, më nuk i kemi pasur pas atij viti kur është marrë vendimi për dënimin me burg dhe ai plotësues.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka folur për paralajmërimet e kandidates për deputete Adriana Hoxhiq se do të ankohet edhe në instanca ndërkombëtare.

PZAP ka vendosur që të anulojë votat e komunitetit boshnjak në disa komuna me shumicë serbe, ndërsa ndër më të prekurat me këtë vendim ka qenë Ujedinjina Zajednica e Adriana Hoxhiqit.

Hoxhiq është ankuar në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së dhe e ka quajtur atë skandaloz.

“Secili kandidat që është prekur nga vendimet e PZAP-së mund të mos pajtohet dhe të ankohet. Por, gjuha si skandaloze apo shprehjet e tilla nuk duhet të përdoren. Janë mekanizmat që e vlerësojnë se a është një vendim në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Është Supremja dhe nëse konfirmohen pretendimet e znj. Hoxhiq atëherë e ndryshon vendimin. Nuk e di se ku ka menduar znj. Adriana Hoxhiq të ankohet, kur ka përmendur instancat ndërkombëtare. Edhe po të kishte mundësi, është vetëm Gjykata e Strasburgut që merret me shkeljet e lirive e të drejtave të njeriut. Edhe në Strasburg nuk shkohet pa i shterur gjitha mjetet juridike në Kosovë. Nëse Supremja vendos kundër znj. Hoxhiq, ajo mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. E nëse nga Kushtetuesja nuk miratohen pretendimet e Hoxhiqit, atëherë në rrethana të tanishme nuk ka mundësi të shkojë në Gjykatë të Strasburgut, pasi nuk jemi anëtar të Këshillit të Evropës. Derisa nuk je anëtarë nuk ke të drejtë të adresosh çështje në Strasburgg. Nuk e di mekanizëm tjetër që ka, çfarë ka menduar znj. Hoxhiq nuk e di”, ka thënë Hasani në Interaktiv të KTV-së.