Sipas një studimi të gjerë, fëmijët shtatëvjeçarë që janë me mbipeshë i nënshtrohen më shumë rrezikut për të përjetuar probleme emocionale, siç janë ankthi dhe niveli i ulët i disponimit.
Hulumtuesit e Liverpoolit zbuluan se mbipesha dhe problemet e shëndetit mendor janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe rritet në mënyrë graduale në kohën e fëmijërisë. Sipas tyre, vajzat vuajnë më shumë nga problemet emocionale sesa djemtë.
Ndonëse ky studim nuk e trajton çështjen e shkaktarëve të depresionit, në të thuhet se edhe varfëria mund të ndikojë në rritjen e rrezikut nga mbipesha dhe depresioni.
Sipas shkencëtarëve, këto gjetje janë dëshmi që prindërit dhe mjekët të marrin masa të hershme parandaluese për t’i mbrojtur fëmijët nga mbipesha, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Në këtë studim morën pjesë më shumë se 17 mijë fëmijë të lindur në Britani të Madhe nga viti 2000 deri në vitin 2002, me ç’rast është përdorur modeli statistikor i matjes së lidhjes mes mbipeshës dhe problemeve emocionale.
Ata i analizuan të dhënat për gjatësinë, peshën dhe problemet emocionale, të cilat u morën nga prindërit e fëmijëve. Hulumtuesit zbuluan se mbipesha është e lidhur ngushtë me problemet emocionale.