Kapërcimet e shpejta në “Koncertin për fagot Nr.2” të Franz Danzit kanë shpërfaqur veprën sfiduese në interpretim. Rrjedhimisht edhe aftësitë teknike të Meriton Ferizit, për çka është vlerësuar nga publiku
Kapërcimet e shpejta në “Koncertin për fagot Nr.2” të Franz Danzit kanë shpërfaqur veprën sfiduese në interpretim. Rrjedhimisht edhe aftësitë teknike të Meriton Ferizit, për çka është vlerësuar nga publiku (Foto: Arben Llapashtica)
Në adresën e kahershme të provave e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës, me kushte të njëjta, programi është ai që e bën diferencën. Është e ditur se secili koncert është rrëfim i veçantë muzikor më vete. Programi i radhës të shtunën në Atelienë e Pallatit të Rinisë ka nisur me “Koncertin për fagot Nr.2” të kompozitorit gjerman Franz Danzi si premierë për publikun në Prishtinë. Simfonia e 8-të e çekut Antonín Dvořák ka qenë tjetri kapitull i shpalosur për publikun nën drejtimin e britanikut Chris McCracken
Magjia e veprave klasike është sjellë në koncertin e radhës të Filharmonisë së Kosovës të shtunën mbrëma. Atraktive ka qenë loja e fagotit në qendër nga solisti Meriton Ferizi krahas Orkestrës në interpretimin e një prej veprave më të njohura të shkruara për këtë instrument. Simfonia e 8-të e çekut Antonín Dvořák ka qenë tjetri kapitull i shpalosur për publikun nën drejtimin e britanikut Chris McCracken.
Në adresën e kahershme të provave e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës, me kushte të njëjta, programi është ai që e bën diferencën. Është e ditur se secili koncert është rrëfim i veçantë muzikor më vete. Programi i radhës të shtunën në Atelienë e Pallatit të Rinisë ka nisur me “Koncertin për fagot Nr.2” të kompozitorit gjerman Franz Danzi si premierë për publikun në Prishtinë.
Orkestra bashkë me fagotistin e parë të Filharmonisë së Kosovës, Meriton Ferizi, kanë sjellë meloditë shprehëse e pasazhet virtuoze të veprës. Emocione të ndryshme janë përcjellë në të tri kohët e veprës: “allegro”, “andante” dhe “palacca: allegretto”.
Dirigjenti britanik Chris McCracken ka konsideruar se vepra e Danzit është koncerti i duhur për të sjellë në qendër fagotin. E ka vlerësuar lojën e Ferizit në këtë instrument.
“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Danzi është zgjedhja e duhur për të shfaqur këtë instrument. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Tingujt janë shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm, sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”, ka thënë McCracken.
Koncerti i së shtunës ka qenë i dyti me radhë që ka drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. I pari kishte qenë në dhjetor të 2022-s ku ishin sjellë veprat e Gustav Holst, Carl Nielsen, Peter Warlock e Edvard Grieg nga orkestra harkore.
“Mendoj se ai koncert pati shkuar mjaft mirë, prandaj më kërkuan të kthehem prapë ta drejtoj Orkestrën edhe një tjetër herë”, ka thënë për KOHËN dirigjenti Chris McCracken, i cili ka dirigjuar rreth 40 opera dhe ka punuar me orkestra profesionale në 11 vende të ndryshme. Midis tyre edhe produksionin e “Lo Speziale” nga Haydn me Operën e Kosovës që u dha më 5,6 e 7 korrik të vitit të kaluar.
McCracken është laureat i edicionit të vitit 2017 i “Blue Danube International Opera Conducting Competition”. Ai ka dirigjuar muzikë për balet dhe ka drejtuar koncerte simfonike në Londër, disa qytete gjermane, Shën Petersburg e deri në Ekuador. Ka qenë dirigjenti i parë i ftuar i Orkestrës Shtetërore të Stara Zagorës në Bullgari që nga nëntori i 2015-s ku ka dirigjuar “Il Barbiere di Siviglia”, “La Traviata”, “Lucia di Lammermoor”, “Eugene Onegin” e “Othello”.
Kapërcimet e shpejta në “Koncertin për fagot Nr.2” të Franz Danzit kanë shpërfaqur veprën sfiduese në interpretim. Rrjedhimisht edhe aftësitë teknike të Meriton Ferizit, për çka është vlerësuar nga publiku. Si shpërblim ka interpretuar në bis kohën e fundit ku ka sjell meloditë e gjalla e harmonike.
Për fagotistin Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës e anëtar i Filharmonisë së Kosovës, ka qenë hera e parë si solist me këtë institucion. Ka thënë se ka qenë emocion i veçantë për të.
“Për mua ishte emocion pasi jam mësuar të luaj prapa si fagotist dhe jo këtu si solist. Ishte emocion i veçantë, publiku na priti mirë. Një vepër atraktive, kemi zgjedhur të jetë e mirë pasi rrallë dalim, të jetë e stilizuar, e mirë për veshin e publikut, për mua dhe përcjelljen e Orkestrës”, ka thënë Ferizi.
Ka përmendur se është instrument i rrallë në Kosovë, sikurse edhe repertori i veprave për këtë instrument, duke përjashtuar atë botëror. Loja si solist, sipas Ferizit, është promovim i instrumentit në vend.
“Është instrument delikat, i vështirë, nuk i dihet kallamit, mund të thahet klima, ndikon temperatura. Por, për fat funksionoi mirë. Këto janë gjithmonë sfidat para koncerteve, por jemi përgatitur me kohë”, ka thënë më tej fagotisti Meriton Ferizi.
Ai ishte edhe anëtar i Korit për gjashtë vjet, për të kaluar si fagotist më 2009. Ka punuar si profesor i fagotit në shkollën “Çesk Zadeja” në Prishtinë dhe në atë në Gjakovë, si dhe në Fakultetin e Arteve në Pejë dhe në Prishtinë. Ai është themelues, anëtar dhe udhëheqës i disa formacioneve të ndryshme vokale e instrumentale të mirënjohura në vend.
Ndër vite ka marrë pjesë në shumë shfaqje teatrale si muzikant e instrumentist brenda dhe jashtë vendit. Kështu ngjante me shfaqjen “Ditë vere” të Slavomir Mrozhekut me regji të Kaltërim Balajt në tetor të vitit të kaluar. Ferizi me harmonikë, bashkë me Aurora Kabashin në violonçel kishin interpretuar aty për aty muzikën e cila kishte përcjellë ngjarjet në shfaqje.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se kjo është hera e dytë në historinë e Filharmonisë së Kosovës që luan si solist një fagotist.
“Vepra për fagot dhe orkestër nuk kemi pasur shpesh, kjo mbase është hera e dytë në krejt historinë e Filharmonisë së Kosovës nga viti 2000 e deri më sot. Ka qenë një fagotiste shqiptare”, ka thënë Selimaj.
“Simfonia Nr. 8” e kompozitorit çek Antonín Dvořák ka qenë kapitulli tjetër i koncertit të parë për këtë muaj. Vepra me ritme folku që gërsheton meloditë, ritmet dhe harmoninë e saj në përgjithësi, çon në mendje inspirimin e kompozitorit në muzikën popullore. Muzika magjepsëse sjell edhe ngrohtësi e nostalgji në tingull.
Meloditë shprehëse ngjajnë në zbërthimin e temave të paharrueshme në kohët “allegro con brio”, “adagio”, “allegretto grazioso – molto vivace” dhe “allegro ma non troppo”. Nëpër partiturat e veprës janë zërat unikë të instrumenteve. Ritmet dinamike të harkorëve në vepër i zbehin frymorët.
Sipas Selimajt, kjo vepër është rikthyer në repertorin e Filharmonisë 14 vjet pas.
“Simfonia e Dvořákut rikthehet në repertor pas 14 vjetësh, hera e fundit ka qenë në vitin 2010, kur është interpretuar për 10-vjetorin e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Në programin e koncertit të së shtunës ishte paraparë të interpretohej edhe “Koncerti për flaut Nr.1” i francezit André Jolivet. Si soliste do të paraqitej flautistja Erëmira Çitaku, por për shkak të gjendjes shëndetësore të saj vepra është planifikuar për sezonin e ardhshëm të Filharmonisë.
Koncertin e radhës, institucioni shtetëror i muzikës klasike e mban më 16 maj. Nën drejtimin e Hajrullah Sylës, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin premierë në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë. Programi përfshin vepra korale nga baroku deri në muzikën bashkëkohore nga Bach, Brahms, Harbor, Whitacre, Ostrzyga, Runestad, Biggs, si dhe nga Hajrullah Syla që do ta drejtojë korin. Në shënim të 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, do të interpretohet “Bash n’zeman…”.