Fjalë Kyçe

Filharmonia në festë të dyfishtë, çon traditën muzikore të Kosovës në Bernë

Filharmonia në festë të dyfishtë, çon traditën muzikore të Kosovës në Bernë

Ky është rrugëtimi i parë i institucionit muzikor për këtë vit. Koncerti organizohet për nder të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër. Sikurse në Prishtinë, koncerti nis në orën 19:30 dhe parashihet të përfundojë dy orë më pas. Edhe atje, nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra e solistët me anë të muzikës do të shpalosin kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me ato vendore. Po me një të tillë hapet koncerti me “Simfoninë nr. 1” të Rexho Mulliqit. “AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit është vepra tjetër
Koncerti i Filharmonisë së Kosovës në Bernë, në kushte krejtësisht të tjera, është rast i mirë të shihet sesi veprat komunikojnë në sallë që është e destinuar për të tilla ngjarje. Është rast unik për muzikantët që, ndonëse institucioni është qiraxhi, prapë salla nuk plotëson as kushtet themelore për zhvillimin e koncerteve. Në kryeqytetin zviceran të mërkurën shpaloset programi i njëjtë me atë të 27 shkurtit në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Pak ditë para koncertit, të gjitha ulëset janë rezervuar e aty është edhe publiku që ndjek rregullisht programet e “Casino Bern”.

Ky është rrugëtimi i parë i institucionit muzikor për këtë vit. Koncerti organizohet për nder të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër. Sikurse në Prishtinë, koncerti nis në orën 19:30 dhe parashihet të përfundojë dy orë më pas.

Edhe atje, nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra e solistët me anë të muzikës do të shpalosin kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me ato vendore. Po me një të tillë hapet koncerti, me “Simfoninë nr. 1” të Rexho Mulliqit. “AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit është vepra tjetër. Solist është saksofonisti rus, Vitaly Vitulya.

Autori i kësaj vepre, kompozitori Beqiri, ka thënë se vepra është ndërtuar me ritmet e popujve të Ballkanit dhe se aty veçohen ato shqiptare.

“Vepra në fakt është e ndërtuar në ritme komplekse të cilat janë të pranishme në të gjithë popujt e Ballkanit, duke prezantuar veçoritë melodike të melosit shqiptar, ndërthurur me thyerjet e shpeshta ritmike, si formë e shkëputjes dhe dallimit nga tërësia ballkanike, dallim ky që mund të kuptohet edhe nga vetë titulli: Alb (shkurtesa në anglisht për shqiptarët ) dhe Balkanika”, ka thënë Beqiri.

Ka bërë të ditur se vepra më parë ishte interpretuar edhe nga Filharmonia e Kosovës, si dhe nga një orkestër harkore nga Bullgaria. Sipas tij, prezantimi i potencialit artistik jashtë vendit ka një vlerë të jashtëzakonshme për ndërtimin e një imazhi real dhe pozitiv për Kosovën.

Ka theksuar se kushtet e duhura ndikojnë në kualitetin e veprës.

“Është e kuptueshme se interpretimi në salla adekuate dhe me akustikën e duhur sjell komoditet dhe motiv për vetë instrumentistët e Filharmonisë, që ndikon në performancën e përgjithshme dhe pasqyrimin real të nivelit orkestral, gjë që mundëson prezantimin më të mirë të veprave të shkruara”, ka thënë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN kompozitori Valton Beqiri, autor i veprës “AlbBalcanica”, e cila është në programin e koncertit në Bernë.

Nga veprat vendore që prezantojnë kulturën muzikore të Kosovës është edhe “Simfonia nr.2” e Kreshnik Aliçkajt.

Sopranoja Besa Llugiqi, në përcjellje të Orkestrës, sjell muzikën lirike italiane duke interpretuar arie nga kryevepra të repertorit botëror operistik. Do të interpretojë “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” e Puccinit dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Verdit.

Sopranoja Llugiqi e konsideron këtë koncert rast të mirë për të prezantuar kulturën muzikore të vendit.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e institucionit të Filharmonisë, tash që jam e ftuar si soliste bashkë me kolegët. Sigurisht është ndjenjë e mirë kur e përfaqëson vendin tënd. Është një koncert me të cilin e festojmë përvjetorin e Pavarësisë sonë. Janë dy arsye më shumë të gëzohemi. Besoj se është rast i mirë të prezantojmë veprat tona, artistët tanë, kualitetet që kemi dhe të njohin edhe njerëzit atje kulturën tonë përmes gjithë atyre që interpretojnë sikur edhe kompozitorët”, është shprehur ajo.

Veprat i njeh mirë e të njëjtat i pati interpretuar në koncertin e fundit të Filharmonisë së Kosovës, nja dhjetë ditë më parë. Por vepra të tilla kërkojnë përkushtim maksimal, sipas saj.

“Për artistin në çdo skenë që shkel është përgjegjësi. Ato janë vepra që tregojnë shumë për nga ana teknike, muzikore, interpretuese. Sigurisht se për mua është goxha sfidë dhe përgjegjësi, por që jam mësuar tashmë me këtë punën time dhe besoj që me krejt dedikimin që kam dhënë krejt këtë kohë do t’ia dalim mirë dhe do ta shijoj”, është shprehur sopranoja Besa Llugiqi.

Në fund të programit është vepra “Three-cormered hat – Suite no. 2” nga kompozitori spanjoll Manuel de Falla.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se zgjedhja e kompozitorëve nuk është e rastësishme.

“Kemi dëshiruar të prezantojmë tri gjenerata kompozitorësh vendorë”, është shprehur ai në një përgjigje për KOHËN.

E ka konsideruar koncertin në Bernë si moment të veçantë për institucionin.

“Koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Bernë, në Sallën e Madhe të Casino Bern, është një moment i veçantë për institucionin tonë. Ky koncert shënon prezantimin tonë të parë ndërkombëtar në vitin kur po i afrohemi 25-vjetorit të themelimit. Ky përvjetor është i një rëndësie të madhe jo vetëm për Filharmoninë, por për të gjithë skenën muzikore të vendit. Me këtë vjen edhe një përgjegjësi e madhe”, ka thënë Selimaj derisa ka bërë të ditur se ky koncert i paraprin programit sfidues të këtij viti.

“Besojmë se Orkestra do të lërë një përshtypje te publiku i pranishëm dhe se ky koncert do t’i paraprijë një serie koncertesh me një program jashtëzakonisht kërkues dhe të larmishëm deri në shtator të këtij viti, kur do të finalizojmë shënimin e 25-vjetorit me interpretimin e oratoriumit ‘Nënë Tereza’ nga Mendi Mengjiqi”, ka thënë ai.

Koncerti mbahet në sallën historike “Garosser Saal” me një mijë e 300 ulëse në qendrën “Casino Bern” në kryeqytetin zviceran.

“Historia takohet me modernitetin!”, bëhet e ditur në prezantimin e tyre.

“Që nga hapja e tij në vitin 1909, ‘Casino’ ka qenë vendi i takimit kulturor dhe social në zemër të Bernës – dhe do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Për më shumë se njëqind vjet ajo ka rrezatuar atmosferë dhe madhështi unike; dhe lista e të ftuarve të shquar që ka përfshirë Louis Armstrong, Grace Kelly dhe Herbert von Karajan do të vazhdojë të rritet. Koncertet, ngjarjet kulturore shtesë, si dhe ngjarjet e biznesit, festat dhe shumë më tepër mbushin dhomat me rëndësi historike”, shkruhet aty më tej.

Bëhet e ditur se ndërtesa e barokut të vonë dhe neoklasicizmit që restauruar për rreth 78 milionë franga zvicerane dhe se qe rihapur në shtator të vitit 2019 duke i qëndruar sa më afër dizajnit origjinal të vitit 1909.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se veçse janë rezervuar krejt biletat që ishin në dispozicion.

“Të gjitha një mijë biletat e vëna në dispozicion, të cilat mund të rezervoheshin falas, tashmë janë rezervuar – duke mbushur kapacitetin e plotë të sallës. Përveç interesimit të madh nga komuniteti shqiptar në Zvicër, kemi vërejtur edhe një interes të konsiderueshëm nga publiku i gjerë, i cili ndjek rregullisht koncertet në ‘Casino Bern’”, ka bërë të ditur Selimaj.

Të martën, një ditë para koncertit, ekipi merr rrugë për në kryeqytetin e Zvicrës. Selimaj ka bërë të ditur se Orkestra për herë të fundit ka interpretuar atje në vitin 2007.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur vetëm edhe një koncert tjetër në Zvicër, i cili u mbajt në Lozanë në vitin 2007. Në atë kohë si solistë u prezantuan Josip Gjipali, Shpresa Gashi, Elide Podvorica, Frano Lufi, Krenare Gashi dhe të tjerë, nën dirigjimin e Baki Jasharit. Programi përfshinte vepra nga literatura operistike botërore, si dhe këngë të përpunuara shqiptare”, ka treguar Selimaj.

Koncerti në Bernë është vetëm një prej atyre me të cilët parashihet prezantimi i Filharmonisë jashtë vendit në programin e këtij viti. Sivjet planifikohet që të rrugëtojë edhe në Valeta të Maltës, në Sofje e në Romë.