Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i informojnë qytetarët e Republikës së Kosovës se rreth 100 000 vaksina të gripit sezonal, të blera nga MSh në funksion të parandalimit të gripit sezonal kanë arritur në Kosovë.
Që nga mëngjesi i sotëm, ekipet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave të Kosovës, sipas ftesës që u është bërë një ditë më parë nga MSh dhe IKSHKP, kanë filluar furnizimin me vaksina, me të cilat Njësitë e tyre të vaksinimit do t’i vaksinojnë qytetarët në ditët në vijim.
Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe dhe si të tilla e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj virusëve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.
Këto lloje të vaksinave përdoren për herë të parë në Kosovë, duke u bërë kështu një nga shtetet e para në rajon që siguron vaksina katër shtamëshe.
Vaksinat janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së, garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre dhe janë të dedikuara për për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i siguron qytetarët se po e monitoron me kujdes situatën epidemiologjike në vend dhe ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste të Gripit sezonal.