Pas ‘Babai’-t në 2016, ‘Exil’-i do të jetë filmi i dytë lartëvlerësuar i Visar Morinës që Kosova propozon për OSCARS. Në gusht ‘Exil’-i fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Sarajevës, Zemrën e Sarajevës në kuadër të kategorisë kryesore.
Ndërsa në janar dhe shkurt filmi shfaqi premierën botërore dhe atë evropiane në Sundance dhe Berlinale. Këtë jave ‘Exil’-i u përzgjodh nga komiteti selektues që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të Oscars.
Filmi përcjellë Xhaferin me origjinë nga Kosova (luajtur nga Misel Maticevic), një inxhinier i kimisë që jeton në Gjermani i cili dyshon që është bërë shënjestër e kolegëve të tij racistë.
“Exil” është një portret i mprehtë i gjeneratës së integruar të emigranteve, gjenerate kjo që rrallë e shohim në film, të cilët pavarësisht arritjeve personale rrallë lirohen nga ndjenja e të qenit të huaj. Konsiderojmë se ky film flet në mënyrë shumë univerzale, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që largohen nga vendlindjet e tyre për të gjetur qytete të reja që kurrë nuk u shëndërruan në shtëpi. Ekzili shtyen për një dialog aq të munguar mbi politikat e mikpritjes.” ishte deklarata e komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit.
‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, prodhuar nga Komplizen Film – Gjermani, Ikonë Studio – Kosovë dhe Frakas nga Belgjika.
Komiteti selektues i aprovuar nga Akademia e Çmimeve Oscars ishte e përbërë nga kineastë kosovarë: Sevdije Kastrati, Alban Ukaj, Kaltrina Krasniqi, Bujar Kabashi, Doruntina Basha, Ilir Gjocaj, dhe Kreshnik Keka Berisha.