Fjalë Kyçe

Filmi ‘Exil’ nga Visar Morina fiton çmimin kryesor në Sarajevë

Filmi ‘Exil’ nga Visar Morina fiton çmimin kryesor në Sarajevë

Filmi ‘Exil’ nga regjisori Visar Morina ka rrëmbyer sot ‘Zemrën e Sarajevës’.

Filmi ‘Exil’ sonte triumfoi në Sarajevë duke e fituar çmimin kryesorë të festivalit ‘Zemrën e Sarajevës’ në një ceremoni të organizuar online për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Këtë vit juria e programit kryesor garues përbëhej nga regjisori frances Michel Hazanavicius, drejtori artistik i Festivalit të Berlinit Carlo Chatrian, aktorja kroate Jadranka Dokic, regjisori serb Srdan Golubovic dhe nga ekspertja e industrisë nga Meksika Andrea Stavenhagen.

Në një video të dërguar, regjisori Morina shprehet mjaft i lumtur me çmimin: ‘ Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe nganjëherë ndihesha më i humbur se karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Faleminderit jurisë dhe festivalit’.

Filmi i cili u shpërblye më herët sot edhe nga magazina evropiane Cineuropa për regjinë më të mirë, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

“Exil”-i sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

Ky edicion i Festivalit të Sarajevës kishte një prezencë të madhe të kinematografisë se Kosovës ku përveç pjesëmarrjes së filmit ‘Exil’ ishin edhe ‘Galaktika e Andromedës’, ‘Zana’ dhe ‘Vera Andrron Detin’.​