Fjalë Kyçe

Fituesit e lotarisë për viza amerikane ndihen të mashtruar prej Trumpit 

Fituesit e lotarisë për viza amerikane ndihen të mashtruar prej Trumpit 

Islam Elrweny, mësues nga Egjipti, duhej të ishte një nga fatlumët e lotarisë amerikane.

Ai dhe gruaja e tij Shaimaa, me tre fëmijët, u zgjodhën të jenë një nga 55,000 fituesit e lotarisë së vizës për SHBA këtë vit.

Ata u zgjodhën rastësisht nga më shumë se 14 milionë aplikues nga shtetet që historikisht janë të nënpërfaqësuar në popullatën e SHBA-së.

Por pak para intervistës së tyre, ambasada u mbyll për dy muaj për shkak të koronavirusit, dhe më 22 qershor Presidenti i SHBA-së Donald Trump lëshoi një shpallje e cila ndaloi lëshimin e vizave jashtë SHBA-së deri në fund të vitit 2020, dhe kështu shoi mundësitë e dhjetëra mijëra fituesve për këtë vit, raporton AP, transmeton KOHA.

Elwenry e la punën pasi që pushimet në shkollë lejoheshin vetëm gjatë verës, ai gjithashtu u detyrua të paguajë 3,200 dollarë për taksat e lejes së qëndrimit ngase po ikte nga shteti për arsye tjera e jo për pushimet e zakonshme.

Ai kishte pasur dëshirë të bartej në SHBA për më shumë se një dekadë.

“Kam qenë shumë i lumtur sepse shpresoja për një jetë më të mirë, edukim dhe shëndetësi për fëmijët e mi”, tha ai.

Edhe gruaja e tij Shaimaa Kamel e la punën për t’u përgatitur për udhëtimin. Ajo punonte si mësuese në Egjipt.

“Qe një vit e gjysmë kemi menduar vetëm për jetën atje, dhe tash i humbëm të gjitha”, tha ajo.

Sipas Simon Paul, që ka qenë fitues i vizës së njëjtë dhe tani e udhëheqë një blog për t’i ndihmuar emigrantët tjerë, vetëm 13,000 nga afro 50,000 viza lotarie janë dhënë këtë vit.

Lotaria kërkon që vizat të merren deri më 30 shtator përndryshe anulohen. Me shumë ambasada të mbyllura ose që operojnë me kapacitet të kufizuar që nga marsi në përpjekjen për të ndalur përhapjen e koronavirusit, shumica e fituesve nuk kanë qenë në gjendje të kompletojnë kërkesat, ku përfshihet edhe intervista në konsullatë, tha Paul.

Shumica e fituesve tani janë gjetur në një situatë edhe më të keqe se sa që kanë qenë.

Administrata e Trumpit ndaloi dhënien e këtyre vizave si përpjekje për të liruar vendet e punës në një ekonomi të shkatërruar nga pandemia.

Por edhe përpara pandemisë, Trumpi ka kritikuar këtë lotari, duke thënë me të padrejtë se ka qenë një “tmerr” sepse shteti ka pranuar “disa njerëz shumë të këqij”.

Qeveria e SHBA-së e udhëheqë këtë program të vizave. Qeveritë e huaja nuk zgjedhin se kush aplikon dhe si përfundim kush fiton.

Vetë qytetarët e shteteve që janë të kualifikuara për të aplikuar vendosin nëse do të aplikojnë për këto viza. Aplikuesit duhet të kenë të kryer shkollën e mesme apo të kenë dy vjet përvojë në fushat e përcaktuara nga Ministria e Punës e SHBA-së.

Fituesit nuk mund të kenë të kaluar kriminale dhe duhet të kenë një garantues në SHBA i cili dëshiron dhe është në gjendje t’i përkrahë deri sa ti marrin këmbët.

Me dhjetëra fitues për vitin 2020 kanë kontaktuar The Associated Press për të treguar tregimet e tyre.

Shumica e njerëzve janë profesionistë më diploma, por thonë se janë të ngulfatur nga mungesa e mundësive në shtetet e tyre.

Në mesin e të zgjedhurve këtë vit, ishin edhe njerëz si një mjek i sëmundjeve infektive, një inxhinier i agrikulturës, programues i softuerëve, hulumtues post doktoratë, një grua pronare biznesi dhe mësues i shkollës së mesme.

Ata vijnë nga Egjipti, Turqia dhe Shqipëria, në mesin e shteteve tjera.