Fjalë Kyçe

Fjalia më e rëndësishme në fjalimin e fitores së Joe Biden

Fjalia më e rëndësishme në fjalimin e fitores së Joe Biden

Të shtunën mbrëma, presidenti i sapozgjedhur i Amerikës, Joe Biden, për herë të parë bëri diçka që paraardhësi i tij nuk bëri dot në katër vjet. Iu drejtua njerëzve që nuk e votuan.

Diku në mes të empatisë dhe dhembshurisë, Biden vendosi që ditën e triumfit, t’ia dedikonte të zhgënjyerve nga këto rezultate, si për t’i kujtuar ç’domethënë të humbasësh dhe se sa e vështirë është. Kujtojmë që Presidenti Biden humbi në zgjedhjet e vitit 1988 dhe 2008.

“Për të gjithë ata që votuan Presidentin Trump, e kuptoj zhgënjimin e sotëm. Kam humbur disa herë edhe vetë. Por le t’i japim njëri-tjetrit një mundësi”, tha ai.

Kontrasti mes Trump dhe Biden është i dukshëm. Pra kemi një ish-President i cili këmbëngulte se humbja ishte për dështakët, siç citonte dhe vetë Trump: “Unë gjithmonë fitoj, në çdo gjë. Humbja është për dështakët. Dhe unë absolutisht nuk jam një dështak”. Dhe kemi një President që simpatizohet me njerëzit që humbën.

Në fakt, vetë jeta e Joe Biden është e mbushur me hidhërime, zhgënjime dhe humbje, qoftë kjo jetë politike apo personale. Ky burrë, fitoret e të cilit janë shoqëruar nga humbje të mëdha, ka parë filizat e tragjedisë t’i lenë vendin atyre të fitores. Ai e di ç’domethënë humbje. E di se është pjesë e jetës… dhe politikës. Dhe vetëm përmes humbjes mëson të vlerësosh fitoren dhe mënyrën se si i drejtohesh çdo njeriu apo race. Që është e rëndësishme për disa persona.

Kështu, me këtë fjali prekëse, duket se Biden po i jep fund epokës që i sheh njerëzit me bindje të ndryshme politike si të këqij. Pra edhe mbështetësi më i flaktë i Trump zbutet nga të tilla fjalë. Sepse Biden është gati jo vetëm të simpatizohet me ata, por edhe t’i kërkojë një mundësi.

Dhe mënyra sesi fjalimi i Biden vijon, e konfirmon këtë gjë.

“Është koha për të lënë pas retorikën e ashpër, të ulen gjakrat, të shohim njëri-tjetrin përsëri, të dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Dhe për të bëjmë progres duhet të ndalojmë së trajtuari kundërshtarët tanë si armiq. Nuk janë armiq. Janë amerikanë”.

Krahasuar me fjalimin e kundërshtarit të tij politik, Donald Trump, në vitin 2018 kur po zgjidhte kandidaturën e Gjykatës Supreme dhe disa demokratë e kundërshtuan, ai u shpreh: “Njoh disa amerikanë që janë të këqij… Kam njohur disa amerikanë shumë-shumë të këqij”.

Pra dukshëm, Trump është përpjekur që të theksojë përçarjen politike për përfitime vetjake. Në dallim nga Biden, i cili po përpiqet t’i kujtojë njerëzve ç’është humanizmi. Qofshin demokratë, republikanë apo çfarëdo qoftë, kanë shumë më shumë të përbashkëta se diferenca.

Në botën politike fjalët dhe gjestet kanë shumë rëndësi. Dhe pasi Amerika për katër vjet pa një president mjaft polarizues, Biden, që në fillim të presidencës së tij shprehu empatinë dhe përpjekjen për t’i shtrirë dorën atyre që e kundërshtuan votën e tij. Kjo tregon shumë për mënyrën sesi një politikë duhet të funksionojë!/CNN