Pak njerëz janë mbledhur në familjen Metaj në fshatin Shushicë të Istogut. Aty po mbahet e pame për Kamer Metajn që u vra një ditë më parë, pas përleshjes së armatosur që pati me policinë e Kosovës, ku dhe vrau njërin prej tyre.
Familja e të ndjerit janë distancuar nga veprimet e djalit, ndërkaq, kanë thënë për Express se i kërkojnë falje familjes së policit të vrarë, duke shtuar se kushtet e Kamerit nuk ishin të këqija që ta çonin drejt vjedhjes.
Kamer Metaj kishte pak vite që ishte kthyer në Kosovë nga Gjermania. Nga aty, tashmë i ndjeri do të dëbohej pasi që paraprakisht kishte kryer 18 vite e gjysmë burg.
Sipas informacioneve që ka siguruar Gazeta Express, i ndjeri, vite më parë në shtetin Gjerman kishte kryer një vrasje, bëhet fjalë për vrasjen e gruas të tij, e për të njejtën vepër kishte vuajtur gati dy dekada burg. Me ty kthyer në Kosovë i njejti vazhdoi të merrej me biznes familjar, kishte hapur një dyqan e merrej me bujqësi.
Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin ku jetonte Kameri me familje në Shushicë të Istogut. Familjarët kanë pak fjalë për të ndjerin e u distancuan nga vepra e një dite më parë. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.
Kërkim falje kërkuan nga ta në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.
“I kërkojmë falje familjes së policit të vrarë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.
Sipas tyre, i ndjeri gëzonte pasuri familjare e nuk po e bënte atë vepër si pasojë e kushteve të këqija ekonomike.
“Ka pas pasuri boll ska pas nevojë me ba këtë gjë se ka pas gjendje të mirë ekonomike 30 krerë lopë ka pas shtallë nuk ka pas përshtypje që mundet me bo ksi gjanash”, po përfundojnë ata.
Për familjen Metja ngjarja rëndohej edhe më shumë, sepse edhe një djalë tjetër i familjes, vëllau i të ndjerit që siç mëson Express quhet Ylber Metaj është në paraburgim.
Së bashku me të është edhe kushëriri i tyre, Ujkan Metaj. Të dy këta, po dyshohet se pasditen e së enjtës ishin nisur drejt bankës NLB në Istog, së bashku me Kamerin, të armatosur me qëllim për të kryer vjedhje.
Për këtë, prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë komunë caktim të masës së paraburgimit, për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vjedhje Grabitqare”.
Dëshmitarët thanë për Express se i dyshuari e njihte mirë policin Demaj, ashtu sic e njihnin edhe i gjithë Istogu sepse nga ta konsiderohej si makth që nuk i linte të kryenin punë të jashtëligjshme.
Sipas informacioneve nga ata që panë rastin i ndjeri ishte futur i armatosur në bankë e nga aty do të merrte edhe dy pengje duke tentuar që të largohej. Aty u zë në pritë nga polici i ndjerë Izet Demaj me të cilin do të shkëmbenin zjarr. Të dy këta nuk arritën të ju mbijetonin plagëve të marra.