Fjalë Kyçe

Formohet Grupi Punues për themelimin e Fondit Sovran

Formohet Grupi Punues për themelimin e Fondit Sovran

Është formuar Grupi Punues për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës bënë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Kryetar i Grupit Punues u zgjodh Besnik Pula , profesor në Universitetin Virginia Tech, në ShBA, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare.

“Në mbledhje u miratua Grupi Punues i përbërë nga anëtarët: Arta Hoxha, eksperte e auditimit bankar, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme, Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare, dhe Tea Blakaj Hoxha, këshilltare ligjore e Kryeministrit.”, thuhet në komunkatë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se në këtë mbledhje po nis një nga reformat më të mëdha ekonomike të vendit tonë që nga pavarësia.

“Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë, shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti.