Fjalë Kyçe

Foshnja me lëkurë të errët: Çifti padit klinikën, e akuzon se ia ngatërroi materialin në IVF

Foshnja me lëkurë të errët: Çifti padit klinikën, e akuzon se ia ngatërroi materialin në IVF

Një çift nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara lindën fëmijë të personave të panjohur, pasi u është dhënë embrioni i gabuar nga një klinikë fertiliteti gjatë procedurës së njohur si IVF, thuhet në një padi.

Daphna dhe Alexander Cardinale thonë se në shtator të vitit 2019 u lindi një vajzë që nuk dukej aspak si ata, shkruan BBC.

Pas një testi të ADN-së, ata e gjetën çiftin që ishin prindër të vajzës dhe së bashku vendosën që t’i ndërronin vajzat.

Procedura IVF bëhet duke i bashkuar qelizat vezë të një gruaje me spermën e një mashkulli në laborator para se embrioni të futet në mënyrë artificiale në mitrën e gruas.

Çifti e ka paditur Qendrën për Shëndet Riprodhues në Kaliforni si dhe laboratorin “In VitroTech Labs”. Në padi ka akuza për praktikë negative mjekësore, neglizhencë dhe fshehje mashtruese. Asnjëra kompani nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.

Zonja Cardinale tha se asaj i është plaçkitur aftësia për ta bartur në bark fëmijën e saj. Në padi thuhet se babai u befasua, kur pa se vajza kishte lëkurë dukshëm më të errët se prindërit.

Gati dy muaj më vonë, familja vendosi që ta kryente testin shtëpiak të ADN-së, që përfundimisht tregoi se ata nuk kishin lidhje biologjike me foshnjën.

Cardinale tha se incidenti ishte më së vështiri i përballueshëm për vajzën 7-vjeçare të çiftit, e cila pati vështirësi për ta kuptuar incidentin.

Ky nuk është rasti i parë që çiftet akuzojnë klinika për ngatërrim të materialit riprodhues. Në vitin 2019, një familje tjetër nga Kalifornia zbuloi se fëmija i tyre i vërtetë është lindur në Nju Jork.

Çifti e kishte paditur gruan që e kishte lindur fëmijën e tyre, pasi raportohet se ajo donte që ta mbante fëmijën. Gjykata vendoi në favor të prindërve biologjikë.