Mijëra qytetarë e dhjetëra liderë botërorë marrin pjesë në funeralin e tij Mijëra njerëz janë mbledhur në Paris për të parë arkivolin e ish-presidentit Jacques Chirac, ndërkohë që në Francë, dita e sotme është shpallur ditë zije kombëtare.
Radha e njerëzve jashtë kompleksit memorial Invalides ishte 1 kilometër e gjatë, pavarësisht motit me shi.
Presidenti Emmanuel Macron dhe tre paraardhësit e tij po marrin pjesë në shërbesën përkujtimore për Jacques Chirac-un, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 86 vjeçare. Ish-presidenti konservator është lavdëruar nga presidenti Emmanuel Macron si një “francez i madh”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kryeministri i Shqipërisë Edi Rama janë në mesin e 30 liderëve botërorë të cilët janë mbledhur në kryeqytetin francez për funeralin e ish-presidentit Chirac.
“Trashëgimia politike e presidentit Chirac për sigurimin e paqes në Evropë u vlerësua lart nga të gjithë dhe do të jetë gjithmonë frymëzuese. Jemi krenarë që jemi pjesë e vlerave dhe qytetërimit perëndimor.
Presidenti Macron ma konfirmoi se mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën dhe tërë rajonin në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.”, është shprehur Thaçi përmes një postimi në Facebook. Në kuadër të ceremonisë së funeralit të tij në qendër të Parisit janë organizuar nderime ushtarake, ndërsa më vonë gjatë ditës, presidenti francez, Emmanuel Macron ka organizuar një drekë për liderët botërorë në Pallatin Elize. Chirac varroset në Paris, në varrezat Montparnase, ku gjendet edhe vajza e tij, Lorense, e cila ka vdekur më 2016.
Chirac ka shërbyer dy mandate si president dhe dy tjera si kryeministër i vendit. Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, nga viti 1995 deri më 2002 ai e ka futur Francën në Eurozonë, ndërsa në fillim të mandatit të dytë nga vitit 2002 deri më 2007 ai ka udhëhequr një kundërshtim ndërkombëtar të pushtimit të Irakut të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vendin tonë ai do të kujtohet si një nga liderët botëror që u rreshtua krahas shteteve më të fuqishme të botës që mbështetën bombardimet e NATO-s ndaj caqeve të ish-Jugosllavisë, më 1999 për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.