Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC), pas sinjalit nga udhëheqës të institucioneve qeveritare për mundësinë e uljes së pagave të shërbyesve civilë për shkak të pandemisë COVID-19, kërkon që shërbyesit civilë të trajtohen me dinjitet dhe të mos dëmtohen financiarisht.
Në një komunikatë për media, FSSHC kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos merret asnjë veprim që dëmton mirëqenien ekonomike të shërbyesve civilë, pasi do të ketë reflektime me veprime sindikale.
FSSHC i konsideron të padrejta dhe si të tilla të papranueshme vendimet që prekin interesin e shërbyesve civilë dhe do të jetë e përkushtuar për avancimin e pozitës dhe mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civilë në institucionet e Republikës së Kosovës, duke bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat institucionalë dhe shoqërorë.