Me një kërkim të thjeshtë në internet për detektivë privatë në Kosovë, shfaqen disa shpallje për shërbime të tilla.
Por, në shpallje nuk një ka adresë, numër apo e-mail zyrtar për kontakt. Zakonisht, e vetmja mënyrë komunikimi me persona të tillë, është me mesazhe që dërgohen përmes faqes ku është publikuar shpallja.
Arsye kryesore për këtë fshehje kontaktesh dhe ushtrim veprimtarie në mënyrë kaq diskrete, është mungesa e një ligji për detektivët privatë.
Teksa konfirmojnë mungesën e një ligjit të tillë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se, aktualisht, nuk kanë ndonjë përgjegjësi në lidhje me fushën e hetimit privat dhe se nuk janë në dijeni të ndonjë aktiviteti të tillë ilegal.
“Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka ndonjë përgjegjësi për momentin në lidhje me fushën e veprimtarisë së detektivëve privatë.
Gjithashtu, ju njoftojmë se në Republikën e Kosovës nuk ka ende të miratuar një ligj, i cili e rregullon këtë fushë. Duke qenë se nuk kemi përgjegjësi ligjore në këtë aspekt, normalisht se nuk jemi në njohuri të zhvillimit të këtij aktiviteti nga askush.
Nëse ka raste të evidentuara të kryerjes së kësaj veprimtarie, për momentin ilegale, duhet të njoftohen organet e rendit, gjegjësisht Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj ministrie.
Derisa tregon që emërtimi i rasteve bëhet në bashkëpunim me prokurorin e rastit, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, thotë se rastet e hetimeve nga persona që e quajnë veten detektivë privatë, klasifikohen vetëm në bazë të Kodit të Procedurës Penale.
“Mund të them vetëm faktin se Policia e Kosovës, të gjitha incidentet apo rastet, siç quhen në zhargonin policor, i inicion duke u koordinuar me prokuroritë përkatëse, së cilave u tregon incidentin dhe marrin sugjerime nga to se si të emërtohet një incident, me çfarë emërtimi të veprës penale. Zakonisht emërtohen me llojet e veprave penale që kemi në Kodin e Procedurës Penale”, shpjegon Krasniqi.
Pavarësisht se nuk klasifikohen si të veçanta, rastet që lidhen me këtë fushë-veprimtari, ende të parregulluar me ligj, sipas Krasniqit, Policia mund të hapë rast lidhur me vepra të tjera penale.
“Nuk mundem në mënyrë hipotetike të supozoj se çfarë ndodh nëse Policia has në raste të tilla. Mirëpo, prapë po e përsëris se në konsultim me prokurorin, mund të hapë ndonjë rast nëse ka qenë pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, ose mund të jetë ndonjë rast tjetër mundësim i kundërligjshëm i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, ose ndonjë rast tjetër, prapë po e them, këto janë krejt në mënyrë hipotetike, sepse në terren varet krejt prej prokurorëve, të cilëve ne ua paraqesim rastet, nëse ka pasur raste të tilla”, shpjegon Krasniqi.
Megjithatë, kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen, pasi Ministria e Punëve të Brendshme planifikon që vitin e ardhshëm të nisë punën për rregullimin ligjor të kësaj fushë-veprimtarie.
“Në lidhje me planet për vitin tjetër, ne do t’i fillojmë procedurat e nevojshme për të nxjerrë një ligj që e mbulon këtë fushë, por në momentin që po flasim, këto plane janë vetëm ideore dhe ende nuk është vendosur as titullari, i cili do të merrej me këtë punë”, shkruan në përgjigjen e MPB-së.
Njohës të fushës së sigurisë e arsyetojnë mungesën e ligjit përkatës për detektivët privatë, me ekzistimin e organeve të mjaftueshme zyrtare të sigurisë dhe hetimit.
Donika Emini, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë ligji për detektivët privatë, zakonisht, shihet si element për të mbushur “vakuumin” që mund të lihet nga institucionet zyrtare dhe, sipas saj, momentalisht Kosova nuk vakum në këtë sektor.
“Në shtetet tjera, ky ligj apo veprimtaria e detektivëve privatë shihen si elementë kryesorë për ta mbushur një vakum që mund të lihet nga organet zyrtare, në këtë rast policia e shtetit. Në këtë rast, Kosova, nuk besoj që në këtë moment ka nevojë të bëjë një ligj të tillë. E para është se, ligji, nëse përpilohet, duhet të jetë shumë mirë i shkruar, i cili harmonizohet mirë, sidomos me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë”, vlerëson Emini.
Ish-deputeti dhe njohësi i sektorit të sigurisë, Nuredin Ibishi, mosrregullimin ligjor të fushë-veprimtarisë së detektivëve privatë, e arsyeton me rrezikun për shkaktim të problemeve dhe konfuzionit.
“Kjo mungesë, i ka arsyet e veta, pasi që ne i kemi institucionet e reja, të krijuara, institucionet e sektorit të sigurisë. Në rend të parë Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësinë, të cilat kanë qenë çdoherë në ngritje të kapacitetit, deri edhe te Shërbimi i Inteligjencës. Realisht, fillimi apo hartimi i një ligji për shërbimin e detektivëve privatë do të shkaktonte një problem”, thotë Ibishi.
Megjithatë, Ibishi vlerëson se ky ligj duhet të bëhet në të ardhmen. Por, shton se ai duhet të hartohet me kujdes për shkak të kompleksitetit dhe ndjeshmërisë, veçmas me trajnimet, autorizimin e detektivëve dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së subjekteve të mundshme të hetimit.
“Kur të niset kjo iniciativë ligjore, është mirë që në këtë çështje të kyçen ekspertë të ndryshëm të sigurisë, nivelet akademike, por edhe shoqëria civile, pasi ky ligj është shumë i ndjeshëm pasi prekë të dhënat personale dhe privatësinë”, vlerëson Ibishi.
Derisa tregon për vështirësitë e vendeve fqinje në zbatimin e mirëfilltë të ligjit për detektivët, Donika Emini nga QKSS-ja, mbron qëndrimin se, momentalisht, Kosovës nuk i duhet një ligj i tillë.
“Serbia dhe Shqipëria, për shembull, e kanë shumë problem me kontrollimin e sektorit. Do të thotë e kanë një ligj, mirëpo ende në këto shtete nuk dihet sa kompani të tilla ekzistojnë, sa detektivë privatë janë duke punuar dhe cilat janë fushë-veprimtaritë e tyre. Në këto raste, në vendet e rajonit, është keqpërdorur kjo veprimtari, sepse është përdorur më shumë për të hetuar tradhtitë bashkëshortore që bie ndesh drejtpërdrejt me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale”, shton Emini.
Problemet e vendeve të rajonit gjatë zbatimit të këtij ligji,njohësi Nuredin Ibishi, i lidh me ambientin, specifikën dhe mentalitetin e vendeve të Ballkanit.
Sipas tij, në Kosovë, pas luftës, shtete të ndryshme kanë angazhuar detektivë privatë, kryesisht në raste të hetimit dhe vërtetimit të fakteve për persona të dyshuar se përfitojnë nga dy ose më shumë skema pensionale, në shtete të ndryshme.