Udhëheqësit e shtatë vendeve më të fuqishme ekonomike të botës (G7) kanë detajuar planin për t’i mobilizuar 600 miliardë dollarë rreth projekteve infrastrukturore, që është një lëvizje për të rivalizuar projektin kinez “Një brez, një rrugë”.
Iniciativa infrastrukturore e Kinës është kritikuar dhe parë si një projekt që fut vendet në borxhe.
Presidenti i amerikan Joe Biden theksoi se plani do të sjellë përfitime për të gjithë.
“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo bamirësi. Është një investim që do të sjellë përfitime për të gjithë. Kjo skemë do të lejojë që vendet t’i shikojnë përfitimet konkrete të partneritetit me vendet demokratike”, tha Biden.
Plani u bën thirrje udhëheqësve të G7-së që të mbledhin 600 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme me qëllim financimin e projekteve infrastrukturore për ato vende që kanë të ardhura të ulëta.
SHBA-ja ka premtuar të mbledhë 200 miliardë dollarë nga totali përmes granteve, fondeve federale dhe investimeve private, ndërsa BE-ja ka njoftuar se do t’i jep 300 miliardë euro të tjera.
Projekti i energjisë diellore në Angola, fabrika të prodhimit të vaksinave në Senegal dhe shtrirja e kabllos së telekomunikacionit nën det prej 1,609 kilometrave që lidh Singaporin me Francën nëpërmjet Egjiptit, janë disa nga iniciativat që do të përkrahen nga ky fond.
Plani është paraqitur si një mënyrë për të kundërshtuar iniciativën ambicioze të Kinës e njohur si “Një brez, një rrugë”, nisur nga presidenti Xi Jinping në vitin 2013, duke ofruar financime për vendet në zhvillim me qëllim ndërtimin e rrugëve, urave apo porteve.
Iniciativa kineze cilësohet si një mjet i dhënies së “kredive”, duke i detyruar vendet e ngarkuara me borxhe të heqin dorë nga asetet kryesore, nëse nuk arrijnë të shlyejnë borxhin.