Fjalë Kyçe

Gantz: Izraeli do ta caktojë çmimin e sulmit të Iranit në kohën e duhur

Gantz: Izraeli do ta caktojë çmimin e sulmit të Iranit në kohën e duhur

Benny Gantz, ministër në kabinetin e luftës në Izrael, ka thënë se Izraeli do të caktojë “çmimin e saktë” të sulmit të Iranit ndaj tij në kohën e duhur.

Izraeli dhe aleatët e tij i kanë rrëzuar pjesën më të madhe të rreth 300 dronëve dhe raketave të nisura përgjatë natës prej Iranit.

Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të së dielës në Izrael, teksa sistemi ajror izraelit i ka rrëzuar raketat dhe dronët në ardhje.

Irani ka thënë se sulmet janë kundërpërgjigje të një sulmi të kryer në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e të cilit janë vrarë disa iranianë, përfshirë figura të rëndësishme ushtarake.

Izraeli as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar kryerjen e sulmit.

“Ne do ta ndërtojmë një koalicion rajonal dhe të caktojmë çmimin e saktë të sulmit të Iranit, në kohën e duhur për ne”, ka thënë Gantz.

“Më e rëndësishmja, të përballur nga dëshira e armiqve tanë për të na dëmtuar neve, ne do të vazhdojmë të bashkohemi dhe të bëhemi më të fuqishëm”.

Ndaras, Gantz ka thënë se ka biseduar edhe me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

“Ne kemi diskutuar për rëndësinë e formimit të një fronti të përbashkët global, për të kundërshtuar agresionin iranian direkt prej tij dhe rrjeteve të tij – në rajon dhe në nivel botëror”, ka thënë Gantz përmes një postimi në rrjetet sociale.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, e ka paralajmëruar Izraelin kundër ndonjë “sjelljeje të pamatur”, pas sulmit, duke thënë se përgjigja pasuese e Teheranit do të jetë “edhe më e fuqishme”.

Ushtria iraniane ka pretenduar se sulmet e saj i kanë arritur të gjitha objektivat dhe se operacioni është kryer me sukses.

Qeveritë perëndimore dhe të tjera kanë bërë thirrje për përmbajtje.