Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, po tenton të mashtrojë Kuvendin për marrëveshjen mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit.
Sipas tij, ky është një veprim antiligjor dhe antikushtetues.
“Ne nuk kemi një marrëveshje të amendamentuar, nuk kemi një amendament për këtë marrëveshje. Nuk po kuptoj çfarë është duke thënë ky ministër. Po përmend 45 milionë euro, po thotë që këto pare do të shkojnë diku tjetër, po i thotë Kuvendit votoni një marrëveshje e cila është obligim të votohet me 2/3 se unë kam me shkel Kushtetutën dhe marrëveshjen. Sepse do të bëjë diçka tjetër, se ma paska çu dikush një letër se mund të bëjë diçka tjetër. Kur të ratifikohet kurrgjë tjetër përveç kësaj nuk mund të bësh. Asgjë tjetër përveç këtyre tabelave që i ratifikon Kuvendi, asnjë centë nuk mund të lëvizësh. Ose nuk je duke ditur ta bësh punën tënde, ose dëshiron që ta vendosësh Kuvendin në lajthitje”, u shpreh ai.
E ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se kjo marrëveshje është zhvilluar nga Qeveria Kurti 1, gjegjësisht nga Besnik Bislimi. Me marrëveshjen e ratifikuar, siç tha ai, mjetet e dedikuara për asistencë teknike do të zhvendosen për investime kapitale.
“Marrëveshja është zhvilluar në Qeverinë Kurti 1 nga ministri Besnik Bislimi. Këtë gjë e dinë zonja Bajrami. Pastaj, kur ka ardhur si ministre e ka gjetur marrëveshjen pothuajse të gatshme dhe është nënshkruar marrëveshja. Nënshkrimi është i zonjës Bajrami. Sa i përket mënyrës se si komunikojmë me kreditorin dhe cilat janë mundësitë dhe kushtet për të lëvizur brenda planit të prokurorimit, ato caktohen në marrëveshje. Kështu që, marrëveshja që ratifikohet do të shfrytëzohet që mjetet që janë të dedikuara për asistencë teknike aq sa marrin nga donatori të zëvendësohen dhe të zhvendosen tek pjesa e investimeve kapitale”, ka deklaruar Murati.
Për këtë ka reaguar sërish Gashi, i cili tha se kjo çfarë po thotë ministri është paaftësi.
“Ne kemi një marrëveshje të shkruar dhe nënshkruar, pjesë e të cilave janë edhe tabelat. Asgjë aty nuk mund të ndryshohet në momentin që ratifikohet në Kuvend. Asnjë gjë, hiç, asnjë pikë, asnjë presje edhe nëse është gabim. Kjo që po thotë ministri këtu është e tmerrshme, pa aftësi totale”, shtoi Gashi.