Fjalë Kyçe

Gërvalla në Athinë: Njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap historik

Gërvalla në Athinë: Njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap historik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla, është takuar sot në Athinë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Në takimin e dytë që zhvilluan homologët brenda pak muajsh, pas atij në Prishtinë, patën rastin të diskutojnë në terma konkret format e bashkëpunimit dypalësh.

Duke e falënderuar për pritjen, ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale me Republikën Helenike, e cila sipas saj është një shtet i rëndësishëm në rajonin e Evropës Juglindore dhe gjithashtu kontribuues i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Më tej kryediplomatët theksuan rëndësinë e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe në veçanti diskutuan lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë.

Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike.

“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Para palës greke, ministrja Gërvalla shpalosi ofertën kosovare sa i përket mundësive të favorshme të të bërit biznes. Një kornizë konkurruese me taksa të ulëta dhe pa burokraci e me një potencial të madh njerëzor për punë profesionale, sipas kryediplomates Gërvalla janë arsye të mira që Kosova të konsiderohet nga investitorët e huaj, të cilët mund të ekspolorojnë mundësi të ndryshme të investimeve direkte.

Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan, transmeton telgrafi

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të
bëhet”, shtoi Gërvalla.

Në takim u diskutua edhe për çështje të politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale.

Bashkëbiseduesit kishin në fokus edhe nevojën për të zgjeruar formën e bashkëpunimit në fusha të tjera si kultura, shkenca, arsimi dhe shëndetësia.