Fjalë Kyçe

Gërxhaliu: Me refuzimin e “Open Ballkan”, Kosova humb tregun me miliona konsumatorë

Gërxhaliu: Me refuzimin e “Open Ballkan”, Kosova humb tregun me miliona konsumatorë

Refuzimi i institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e iniciativës ‘Ballkani i Hapur’, po bën që vendi të humbë mundësinë që t’i bashkohet një tregu më të gjerë konsumues si dhe po pamundësohen investime ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, thotë profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tre liderët e këtyre shteteve Aleksandar Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama atëbotë kishin nënshkruar edhe deklaratën e “mini-Shengenit”, e cila bazohet në katër liri themelore: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.

Kjo nismë parasheh kalimin e kufijve të qytetarëve duke përdorur vetëm letërnjoftimin, zvogëlimin dhe eliminimin e pengesave në vendkalimet kufitare, zvogëlimin e pengesave ekonomike, rritjen e turizmit brenda rajonit, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe lehtësira tjera.

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht se është zotuar që do t’i bashkohet iniciativës së “mini-Shengenit” përmes Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, mendon se iniciativa e “mini-Shengenit”, është nismë pa vizion për rajonin.

Kjo iniciativë, nuk po përkrahet as nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Gërxhaliu: Po humbet një treg prej 14 milionë konsumatorësh

Por, profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova nuk ka komoditet për politika refuzuese ndaj nismave që kanë për qëllim integrimin rajonal ekonomik.

“Që nga viti 1999, me Paktin e Stabilitetit ka pasur iniciativa të njëjta që kanë pasur një qëllim: përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë në familjen evropiane. Në këtë drejtim edhe CEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor) edhe Procesi i Berlinit kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Në këtë drejtim, nuk duhet të cenohet rrugëtimi në familjen evropiane, duhet të jemi pjesë e tyre. Nuk duhet të jemi të humbur”, thotë Gërxhaliu.